Muzeu Historik Kombëtar ka përkujtuar sot 24 marsin e vitit 1911, datë kur 12 vite më parë filloi Kryengritja e Malësisë së Madhe.
Kjo kryengritje zgjati nga 24 mars deri më 4 gusht si pasojë e reformave centralizuese osmane, me ç’rast detyroi malësorët të reagojnë dhe të ngritnin ndërgjegjen kombëtare të popullit shqiptar, fillimisht duke sugjeruar një marrëveshje por pastaj situata eskaloi me ardhjen e 12 batalioneve të drejtuara nga Shefqet Turgut Pasha me 24 korrik në Shkodër.
Gjatë ekspeditës së Shefqet Turgut Pashës në Malësinë e Madhe, malësorët qenë larguar nëpër male ose ishin strehuar në Malin e Zi. Në këto rrethana, komitetet e fshehta filluan përgatitjen e një kryengritje të re, e cila do të fillonte në muajin maj të vitit 1911, mirëpo mbreti Nikolla i Malit të Zi synonte të realizonte planet e tij pushtuese ndaj Shqipërisë së Veriut.
Kryengritja shpërtheu para kohës së parashikuar, më 24 mars 1911. Malësorët nën udhëheqjen e Dedë Gjo Lulit, pas luftimesh të përgjakshme çliruan Tuzin dhe ngritën flamurin shqiptar. Shpërthimi i parakohshëm i kryengritjes së Malësisë së Madhe i gjeti të papërgatitura krahinat e tjera të Shqipërisë dhe çrregulloi planin për një kryengritje të përgjithshme.
Krerët e kryengritjes u mblodhën në një kuvend në Pllajën e Gërçës, në Malësinë e Madhe, ku nënshkruan një Memorandum me 12 kërkesa, i cili iu paraqit Portës së Lartë.
Kërkesat e Memorandumit të Gërçës qenë: njohja e kombit shqiptar, bashkimi i vilajeteve shqiptare, çelja e shkollave shqipe etj. Realizimi i këtyre kërkesave do të çonte në krijimin e provincave autonome shqiptare.



