
Këshilltarja e kryeministrit Rama, Odeta Barbullushi, shpjegoi në emisionin “Të Paekspozuarit” rolin e Aleksandër Soros në samitin e “Ukrainë-Europa Lindore” në Tiranë. Barbullushi tha se Soros ishte në takim në cilësinë e vëzhguesit dhe përfaqëson organizatën e tij.
Nuk foli, nuk ishte pjesë e delegacionit zyrtar. Ishte i ulur si shumë organizata të tjera që ishin aty.
Nuk ka qenë vetëm në Tiranë, por edhe në Shkup në takimin e të njëjtës temë. Ishte si vëzhgues i procesit dhe takimit. Pa hyrë në detaje për pjesëmarrjen e një organizate ose partneri, të gjithë kanë qenë pjesë e proceseve të caktuara të paqes ose atyre demokratizuese.
Po ta krahasojmë edhe me organizata të tjera, kontributi që ka dhënë është që në fillim të viteve 90 dhe është kontribut domethënës. Për këtë të gjithë vendet pjesëmarrëse aty ndërveprojnë me të. Meqë përmendët Amerikën, nuk ka qenë vetëm në konferencën e rajonit. Është në konferencën e Mynihut, në Shtëpinë e Bardhë etj.



