Kryetari i Bashkisë Divjakë, Josif Gorreja, ka kundërshtuar propozimin për bashkimin e Divjakës me Bashkinë Lushnjë në kuadër të reformës së re territoriale, duke e cilësuar atë si një vendim të pajustifikuar dhe pa asnjë argument objektiv.
Sipas tij, Divjaka është një nga bashkitë me performancën më të mirë në vend dhe i plotëson të gjitha kriteret për të vijuar të funksionojë si një njësi vendore më vete.
Nuk jam absolutisht dakord që Divjaka të bashkohet me Lushnjën. Nuk gjej asnjë qasje të bashkëkryetarit Mazniku me këtë reformë dhe me këtë bashkim që ai ka propozuar. Propozimi për të bashkuar Divjakën me Lushnjën, krahasuar me propozimet e tjera, nuk ka asnjë element që e justifikon. Divjaka është një bashki me performancë të shkëlqyer. Drejtoritë funksionojnë në mënyrë të shkëlqyer dhe po ashtu ofrohen shërbime cilësore për qytetarët.
Kryebashkiaku theksoi se Divjaka ka një profil ekonomik të veçantë, të bazuar te bujqësia, duke nënvizuar se kjo e dallon nga bashkitë e tjera të vendit.
Bashkia e Divjakës është e para në Republikën e Shqipërisë ku bujqit janë të lidhur me tokën 365 ditë të vitit. Nuk mund të krahasohemi me bashki ku zhvillimi i turizmit ka marrë përparësi më të madhe, sepse nga pikëpamja e bujqësisë ne jemi furnitori kryesor i vendit dhe i eksporteve. Bashkia e Divjakës i plotëson të gjitha kriteret bazë.
Gorreja e cilësoi vendimin si të pakuptueshëm, duke lënë të nënkuptohet se pas tij mund të ketë motive që nuk lidhen me interesin e qytetarëve.
Ky është një vendim për të cilin nuk gjej dot asnjë qasje, përveçse një dashakeqësie. Nuk e kuptoj dhe në asnjë moment nuk i jap dot zgjidhje logjike. Është një bashki ku funksionon pastrimi i kanaleve, funksionon bujqësia, funksionon turizmi. Në këto tre vite që jam kryetar, Bashkia Divjakë nuk ka kërkuar asnjëherë ndihmë nga bashkitë e tjera për zjarret. I kemi menaxhuar vetë dhe i kemi shuar në kohë, sepse kemi punuar. Në Bashkinë e Divjakës funksionojnë të gjithë elementët.



