
Kryeministri Edi Rama pas takimit të zgjeruar të qeverisë me kryetarët e bashkive, ka zhvilluar edhe një konferencë për mediat, ku theksoi se në këtë takim është bërë një analizë e qeverisjes në disa sektorë.
Gjatë komunikimit me gazetarët Rama theksoi se Shqipëria ka ende sfida shumë të rëndësishme për të ecur përpara.
Sa i përket procesit të integrimit, kryeministri nënvizoi se të gjithë duhet të kryejnë detyrat me përgjegjësi, pasi sipas tij ky është një proces që kërkon angazhim dhe rezultate nga të gjithë dhe jo vetëm nga qeveria.
“Diskutuam për tema të rëndësishme që përbëjnë edhe pikat e rëndësishme të procesit të anëtarësimit në BE. Është një proces që kërkon angazhim dhe rezultate nga të gjithë, jo thjesht nga qeveria. Sepse nuk integrohet qeveria në BE, por Shqipëria. Puna e qeverisë është një pjesë e punës, siç është një pjesë parlamenti, gjyqësori dhe pushteti vendor apo sektori privat, media, etj.
Jemi në nevojën e madhe të rritjes së ritmit dhe përshpejtimit të modernizimit të procesit të qeverisjes në të dyja nivelet si edhe të rritjes së cilësisë së kapitalit njerëzor. Kemi diskutuar një sërë temash dhe ministri për pushtetin vendor ka bërë një parashtrim duke nisur nga nisja e zbatimit të reformës administrative.
Një sërë të dhënash treguan se ka qenë gjëja e duhur, por kemi disa sfida me rëndësi, ndër të cilat kemi sfidën e përafrimit të performancës së njësive të pushtetit vendor me mbështetje nga qeveria, sfidën e një mesatareje të arsyeshme të performancës në të gjitha bashkitë pasi ka nivele të ndryshme dhe është normale, por me diferenca nganjëherë të forta.
Kemi domosdoshmërin e rivlerësimit të pagave të bashkive, sepse sot bashkitë janë të ndara në 5 nivele duke u bazuar te numri i banorëve dhe këtyre 5 niveleve i përkojnë edhe nivelet e pagave, ne do kalojmë në dy nivele dhe do bëjmë rritje të pagave për t’i përfaruar mundësitë e shpërblimit të punonjësve në bashkitë e nivelit të dytë me nivelin e parë.



