Ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi, shkak për konflikte të reja (VIDEO)

Ndryshimi i kufijve Kosovë-Serbi, shkak për konflikte të reja (VIDEO)

Ideja për ndryshimin e kufijve mes Kosovës dhe Serbisë mund të jetë benzinë për të ndezur zjarr dhe krijuar konflikte të reja. Këtë pohon drejtori i Iniciativës për Stabilitet Evropian, Gerald Knaus, në një intervistë për median boshnjake, “Dnevni Avaz”.

“Ideja se problemet e pakicave zgjidhen më së miri duke i hequr pakicat – duke zhvendosur kufij apo njerëz – gjithmonë ka qenë shpërthyese. Është një metodë për të krijuar konflikte të reja dhe në Ballkan, për të kthyer kohën prapa në vitet ’80-të, kur në vend që të diskutoheshin reformat, intelektualët dhe politikanët në ish-Jugosllavi u përqendruan në kufij dhe në çështjet etnike. E dimë se si përfundoi ajo. Kushdo me një kujtesë të historisë, apo me logjikë të qartë, do ta kundërshtonte këtë”, thotë Knaus.

Njohësi i zhvillimeve në rajon, Knaus, vëren se ideja e shkëmbimit të territoreve mes Kosovës e Serbisë nuk është debat për territor, por për njerëz. “Ky debat nuk është për territor. Ajo që e bën atë më të rrezikshëm është se në të vërtetë ka të bëjë me njerëz. Ka të bëjë me idenë më të vjetër nacionaliste: se mund të jeni të sigurt dhe të keni jetë të mirë vetëm nëse jetoni në mesin e fisit tuaj, në mesin e njerëzve të besimit tuaj, etnisë apo gjuhës amtare. Dhe, për rrjedhojë, kufijtë e shteteve duhet të vizatohen për të garantuar se të gjithë njerëzit e fisit tuaj janë në një shtet. Kjo shpesh është parë, po ashtu edhe në të kaluarën, si një ide e thjeshtë, e madje edhe pozitive: pse të mos formohen shtete në atë formë që njerëzit që kanë shumë të përbashkëta të jenë së bashku? Por kur kjo ide të del nga teoria në praktikë, zakonisht bëhet monstruoze, sepse shoqëritë e vërteta janë gjithmonë të shumëllojshme, dhe njerëzit nuk dëshirojnë të lëvizin. Ka qenë ideja më e rrezikshme – bashkë me legjitimimin e dhunës për të arritur synime politike – në historinë e fundit të Ballkanit. Për çdo udhëheqës rajonal dhe zyrtarë evropianë, ringjallja e këtij Frankensteini tani do të ishte jashtëzakonisht e papërgjegjshme”, vijon ai.

Ai thotë se aktualisht, askush nuk di se për çfarë po flet në kontekstin e kufijve të Kosovës dhe Serbisë, ndërsa, sipas tij, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nuk ka mandat nga parlamenti për të diskutuar as edhe një gjë të vetme në këtë moment. “Thaçi thotë se kjo ka të bëjë me ‘korrigjim kufijsh’. Në rregull, ka pasur korrigjime kufijsh edhe më parë, por të gjithë e dinë se kjo nuk është ajo që dëshiron Beogradi: disa shkëmbinj apo pyje të pabanuara në Kosovën veriore. Kjo ka të bëjë me njerëzit e vërtetë, të cilët veçse kanë përjetuar kohë traumatike, në Kosovë dhe në Serbi dhe në tërë rajonin. Ajo që shohim ne janë dy presidentë që diskutojnë pa transparencë për kokat e këtyre njerëzve se ku duhet të jetojnë ata. Për të diskutuar të ardhmen e dhjetëra mijëra njerëz prapa dyerve të mbyllura është një gjë që e kanë bërë diplomatë evropianë në Kongresin e Berlinit në shekullin e 19-të. E dimë si përfundoi: shumë më shumë luftëra në Ballkan, për 100 vjet tjera, dhe shumë miliona tjerë të zhvendosur”, shtoi Knaus. Sipas tij, shkëmbimi i territoreve mes dy vendeve nuk është opsion realist, madje thotë se ky debat ndez pasione, rrit brengat, ndryshon agjenda politike, kurse thekson se nuk do të ndikojë në përmirësimin e asgjëje.

“Presidenti Thaçi nuk do të merrë mandat për të tregtuar Kosovën veriore dhe Mitrovicën veriore nga asnjë parlament. Presidenti Vuçiç nuk do të jetë në gjendje t’ia dorëzojë Preshevën dhe Bujanovcin Kosovës. Për këtë arsye, do të ishte mirë prezenca e një grupi e vendeve evropiane, që të thotë se e inkurajojnë kompromisin, por disa mënyra të zgjidhjes së çështjeve të pakicave janë të papranueshme – edhe nëse liderët nacionalistë pajtohen”, thotë drejtori i Iniciativës për Stabilitet Evropian, Gerald Knaus. 

Ai thotë se ndarja nuk është e mirë për serbët e Kosovës sepse shumica e serbëve nuk jetojnë në atë territor i cili mund të bëhet pjesë e Serbisë. Njohësi i zhvillimeve në rajon foli edhe për ndryshimin e politikës së SHBA-së ndaj Kosovës dhe deklarimit haptas se mbështesin madje edhe ndryshimin e kufijve, në mënyrë që të gjendet një zgjidhje për mosmarrëveshjen e vjetër Kosovë-Serbi.

“Deklaratat e vazhdueshme të Trump mbi hispanikët në SHBA kanë qenë haptas raciste, fushata e tij për të vënë në pikëpyetje shtetësinë e Obamës ka qenë haptas raciste. Kjo është një administratë amerikane, e cila pajtohet me racizmin dhe me tribalizmin, që është islamofobe dhe nuk interesohet aspak për Ballkanin”, vëren Knaus. Sipas tij, në këtë mes është edhe Rusia, presidenti i së cilës, Vladimir Putin, dëshiron të ngadalësojë integrimin e Ballkanit në BE. 

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy