Partia Socialiste shtyu për në seancën e radhës, votimin e projektligjit për magjistratët, prokurorët dhe gjyqtarët e rinj, pas bojkotit të partive opozitare. Projektligji në fjalë kërkon shumicë të cilësuar votash në Parlament, vota të cilat mazhoranca nuk i realizon dot. 84 vota i duhen Partisë Socialiste, për të votuar pr.ligjin, ndërsa kjo do t’i hapte rrugën zëvendësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar, për shkak vetingut, me qëllim evidentimin e kolapsit në sistemin gjyqësor.
Mazhoranca deri më tani ka siguruar 79 vota, të pamjaftueshme për të votuar ndryshimet ligjore, ndërsa i duheshin edhe 5 të tjera për të kaluar ligjin “për prokurorët dhe gjyqtarët”. Opozita ndërkohë e bojkotoi seancën parlamentare, për shkak të manipulimit sipas tyre, të ligjit për Teatrin Kombëtar, të enjten e shkuar. Deputeti i LSI-së, Nasip Naço, deklaroi se nëse votohen ndryshimet e pr.ligjit, atëherë poltika kthehet 180 gradë mbrapa, për t’i dhënë edhe një herë mundësinë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për të bërë emërimet e magjistratëve, emërime këto që sipas Naços, duhet të ishin bërë që në vitin 2016.
Në përfundim të seancës, kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha se maxhoranca synon konsensusin me opozitën në lidhje me këtë ligj. Balla tha se ka komunikim me LSI-në për votimin e ligjit në seancën e ardhshme.
“Nuk i kishim 84 vota. Kemi prirje që ky të jetë një ligj me konsensus me njërën prej partive të opozitës. Ftesa ime është për deputetët e grupit të LSI-së, me të cilët sot e një vit më parë kemi pasur të njëjtin qëndrim. Kemi një komunikim zyrtar me LSI për këtë çështje. E rëndësishme në këtë proces është të ruajmë konseguencën e qëndrimeve. Duhet t’i qëndrojmë asaj që kemi pasur 2 vite më parë: dakordësinë për të vijuar procesin”, tha Balla.



