Nisin sot aplikimet për të gjithë fermerët shqiptarë që kultivojnë grurin në tokat e tyre, për mbështetjen financiare nga qeveria me 30.000 lekë për çdo hektarë të mbjellë.
Deri më datë 23 shtator aplikimet do të kryhen online në e-Albania, dhe përfitues do të jenë si fermerët individualë, ashtu edhe Shoqata të Bashkëpunimit Bujqësor, si dhe persona fizik ose juridik.
Një njoftim i tillë u bë nga Kryeministri Edi Rama, i cili thotë se aplikantët mund të asistohen nëpërmjet numrit jeshil 08008383, nga specialistët e Agropika-ve dhe Agjencive Rajonale të Ekstensionit Bujqësor në territor.
Në vijim ndan edhe videon që gjeni më poshtë, ku jepet orientim lidhur me mënyrën e aplikimit.
Ndërkohë Ministria e Bujqësisë bëri të ditur se kultivuesit e grurit me sipërfaqe mbi 1 hektarë, që janë edhe prodhuesit kryesore për shitje në treg, do të përfitojnë një mbështetje prej 30.000 mije lekë për ha. Nga data 1 deri më 23 shtator Skema Kombëtare do të jetë e hapur për aplikime online të fermerëve nëpërmjet portalit e-Albania. Secili fermer mund të realizojë aplikimin në mënyrë individuale. Megjithatë për të siguruar asistencën e nevojshme, Ministria ka angazhuar një rrjet zyrash aplikimi, 20 Agropika dhe 35 zyra bujqësie pranë AREB-eve, pra 55 zyra gjithëej me rreth 113 specialistë bujqësie, të mjaftueshme për realizimin normal të procesit.
Ministrja Frida Krifca nëpërmjet një statusi në rrjete sociale drejtuar fermerëve tha se deri më tani kemi bështetur më shumë se 35.000 aplikantë e deri në fund të vitit llogariten rreth 50.000 fermerë që përmes naftës, grurit, apo masave të tjera të drejtpërdrejta do të preken nga skema.
E vërteta është se ky vit ka ofruar shifrën me herë më të lartë, në numër përfituesish apo fondesh dhënë ndonjëherë, në një periudhë prej tetë muajsh, brenda një viti buxhetor. E gjithë kjo punë është kryer nga e njëjta administratë e cila ka bërë një punë të madhe për të orientuar, mbështetur dhe mundësuar shërbim. Por ju këtë e dini, sepse jetoni në komunitete dhe e kuptoni diferencën mjaft mirë.
Dini gjithashtu të dalloni gënjeshtrat dhe politikën e zhurmës që tentohet të bëhet në emrin tuaj. Por le ti kthehemi grurit, ndërsa kemi patur një vit të mbarë në prodhim e në çmime, kemi punuar fort të afrojmë tregtarët drejt prodhimit vendas, kemi ndërmarre masa për ta shtuar sipërfaqen e mbjellë me këtë kulturë për shkak të pasigurisë së tregjeve ndërkombëtare ku historikisht jemi furnizuar për rreth gjysmën e nevojave të vendit”.
Ministrja shtoi se me këtë mbështetje për sipërfaqe, garantojmë pagesën brenda këtij viti për secilin fermer dhe pagesa brenda vitit, ka qenë qëllim kryesor. Sipërfaqja prej 1 ha nuk kërkohet të jetë në një parcelë të vetme, as në parcela që formojnë një bllok. Mbështetja për grurin nuk bazohet në parimin ‘kush vjen i pari paguhet i pari’ por në rast pamjaftueshmërie buxheti, në renditjen sipas sipërfaqes.
Një nga kriteret e përfitimit për masën mbështetëse të grurit është qe toka të jetë në pronësi ose në përdorim (qira, huapërdorje, etj).
Për tokat në pronësi dokumentet që duhen janë:
-Certifikatë pronësie;
-Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi (AMTP)
-Nuk kërkohet kontratë noteriale
-Kërkohet një dokument i nënshkruar mes palëve (pra midis qaramarrësit dhe qiradhënësit). Për të shmangur kostot nuk kërkohet noterizim, por thjesht një konfirmim nga Njësia Administrative përkatëse. Kjo bëhet FALAS!
- Nënshkrimi i palëve është i domosdoshëm, për të shmangur raste abuzimi. Pra, ky dokumentim eleminon përfitimet e padrejta dhe garanton integritetin e procesit.
Duhet të paraqiten fatura fiskale për blerjen e farave ose produkteve plehëruese. Fatura për farën është vendosur si kriter për t’u garantuar që fara e mbjellë nga fermeri është e certifikuar dhe në këtë mënyrë ka cilësitë dhe kapacitetin e duhur prodhues dhe ofron gjurmueshmëri për strukturat tona.
Faturat do të kërkohen gjatë kontrollit fizik të sipërfaqes në parcelë për çdo aplikant përfitues.



