
Shtatë vite pas tërmetit shkatërrues, dhjetëra familje në Rrogozhinë vijojnë të jetojnë mes frikës, varfërisë dhe braktisjes. Shtëpi të klasifikuara të pabanueshme, mure të çara dhe çati që rrjedhin janë realiteti i përditshëm i njerëzve që thonë se janë harruar nga shteti.
“Shikoni si rënkon nëna, z. kryeministër… hyn shiu brenda”, thotë një banor për motrën 90-vjeçare që jeton në një banesë në rrezik shembjeje. Të tjerë flasin për net pa gjumë: “Rri gjithë natën jashtë nga frika. Tani më mirë do të ishte vdekja”.
Shumë prej tyre kanë kontrata të firmosura për rindërtim, por punimet nuk kanë nisur. “Kam ardhur 130 herë në bashki. Më thonë: ‘nuk ka fonde’”, shprehet një tjetër. Ndërsa një familjar rrëfen dramën ekonomike: “Jetojmë 12 veta me një pension 100 mijë lekë. Si të paguaj edhe qiranë?”
Akuza të forta ngrihen për mënyrën e shpërndarjes së fondeve. “Të gjitha fondet i ka marrë mafia. Ata që kanë vila, kanë bërë shtëpi tërmeti”, thonë banorët, duke shtuar se “këta kanë mbetur pa shtëpi, se nuk japin ryshfet”.
Mes dëshpërimit, disa arrijnë në kufijtë e tragjikes: “Ka mbetur vetëm t’i fus një plumb vetes”. Ndërsa të tjerë bëjnë thirrje të drejtpërdrejtë: “Na bëni një shtëpi, sa të fusim kokën brenda”.
Në një qytet ku rindërtimi premtohet prej vitesh, për shumë familje shpresa është kthyer në një pritje pa fund.



