
Kryetari i bashkisë së Lezhës, Pjerin Ndreu në një lidhje skype me MCN Live ka komentuar lidhur me situatën për shkak të motit të keq duke bërë me dije se aktualisht ka një përmirësim dhe se qyteti nuk ka më prezencë uji.
Si tha se janë evakuuar 5 familje të cilat kanë qenë në vështirësi, ndërsa thekson se janë adresuar të gjitha problematikat që na kanë ardhur.
Sipas tij, aktualisht janë rreth 200 hektarë tokë e përmbytur nga uji dhe disa zona kanë ende probleme me furnizimin e energjisë elektrike.
Situata është e përmirësuar, qyteti nuk ka më ujë, tashmë është e stabilizuar, jemi në kontakte të drejtpërdrejta, por nuk kemi të bëjmë me një gjendje dramatike. Në qytet nuk kemi më ujë, por për garanci dhe të ndonjë problematike që mund të sjellë moti në bashkëpunim me përfaqësues të arsimit vendosëm që dhe sot të jenë të mbyllura shkollat për të na dhënë dhe ne hapësira për të ndërhyrë. Lezha nga parashikimi i shërbimit meteorologjik nuk ka qenë në zonat që prekeshin. Ka qenë një përqendrim nga ora 4 deri 10 që ka sjellë 700 milimetra uji dhe kjo prurje do kishte vënë në vështirësi dhe qytetin më të organizuar të botës. Kemi evakuuar 5 familje dhe i kemi shpërngulur në hoteleri .
Më tej ai ka sqaruar se qyteti ka dalë nga harta e kësaj rrezikshmërie të përmbytjeve, ndërsa theksoi se kemi problem në ishull, në fshatin Mylte dhe në disa rrugë.
Më të dëmtuarit deri tani nga kjo situatë janë dëmtuar disa biznese që janë mbushur me ujë, tregu i qytetit, ndonjë banesë, një urë është marrë nga uji në Kodër Mulliri, po vlerësojmë disa rrugë të dëmtuara. Janë mobilizuar forcat e bashkisë të gjitha shërbimet e zjarrfikëses, ujësjellësit, poicia të gjithë kanë qenë në gatishmëri për të bërë punën. Uji është tërhequr dhe nuk kemi asnjë problem, aktualisht rreth 200 hektarë tokë e përmbytur nga uji. Po të mos ishin bërë këto punë që ne kemi bërë në Lezhë, sot që flasim qyteti do ishte kthyer në një katastrofë dje, por kanë qenë punët e pareshtura të bashkisë. Ka pasur disa zona me probleme të energjisë elektrike, por që situata po vihet në normalitet.



