Një nga aktivistët dhe organizatorët e protestës së zhvilluar dje në Durrës kundër rritjes së çmimeve, Flamur Bala, deklaroi për MCN Live se njerëzit janë të revoltuar dhe nuk tërhiqen nga kërkesat e tyre. Bala tha se ka një pjesëmarrje të shtuar në protestë, duke shtuar se qytetarët bëjnë thirrje për bllokimin e rrugëve.
Çmimi i hidrokarbureve ka prekur majat. Qëllimi i kësaj proteste është jetësor për ne, sepse rritja e çmimit të naftës ka rritur çmimet e ushqimeve, të jetës. Kjo është e papërballueshme për qytetarët. Rroga minimale thonë është 30 000 lekë por është edhe më e vogël. Të përdorësh makinën sot është bërë luks, ndërkohë që është mjet pune. E kemi protestën për ata që makinën e kanë mjet pune, thelbësore.
Protesta sa po vjen dhe ka rritje. Në protestën e parë kanë qenë më pak. Njerëzit bëjnë thirrje për bllokimin e akseve kryesore. Njerëzit janë shumë të revoltuar. Qeveria të vendosë një çmim tavan, të ulë akcizën e naftës. Përveç naftës duhet ulur edhe çmimi i ushqimeve, sepse mund të ulet çmimi i naftës, por të rritet çmimi i ushqimeve. Këtu nafta u ngrit 60-80 lekë menjëherë. Nuk ka asnjë shtet që është ngritur nafta menjëherë.



