Pedagogia Mirela Karabina, kujton se në vitin 2017 u bë ministre e Arsimit pas një eksperience në çadrën e opozitës.
Në një rrëfim për Mustafa Nanon në emisionin “Arnautistan”, ajo tregoi se ka qenë e angazhuar në protesta, duke veçuar “Çadrën e Lirisë”, ku tha se në të ka pasur diskutime nga njerëz të fushave të ndryshme.
Kishte një marrëveshje mes PS dhe PD, e kam parë me syrin pozitiv, se ishte situatë e tensionuar. Unë e kam pranuar atë post për të qenë në shërbim, mua më është ofruar, është një vlerësim.
Nuk është kollaj të bëhesh ministre, unë përmbusha disa kritere se unë isha një ministre teknike. Integriteti profesional dhe moral, ishin ndër të parat kritere që kam plotësuar për të qenë ministre.
I jam mirënjohëse PD dhe zotit Basha që më propozoi dhe vlerësoi dhe anës tjetër që më pranoi. Në atë kohë nuk kam qenë pjesë e PD, kam qenë pa teserën. U përzgjodha si ministre teknike dhe u vlerësua pjesa profesionale.
E mora detyrën për të kontribuar se u bë një marrëveshje, për të pasur një proces zgjedhor ndryshe nga të tjerët, duke kufizuar administratën. Kjo ishte pjesa e marrëveshjes.
Ajo nuk ishte qeveri normale dhe ne kemi dëshmuar se nëse ka një gjë tejet me rëndësi që duhet të funksionojë dhe ndryshojë është administrata e përdorur politikisht.
Brenga që gjeta dhe lashë: si mundet që drejtor të Ministrisë së Arsimit nuk ishin në shërbim të vendit, por të një force që i mbante në punë, ishte përdorim politik i administratës. Situata është tejet e rëndë.
Ajo tregoi se tanimë është e strukturave të PD, dhe në Këshillin Kombëtar, teksa tha se kriza në selinë blu, është krizë e gjithë shoqërisë.
Do të jap kontributin tim tek PD, parimi im është se më e rëndësishme se liderët është partia. Shpresoj se do të ketë mirëkuptim dhe do të vihet partia e para, se në këto momente situata nuk është aspak e mirë dhe demokratët janë ndarë mes tyre, për arsye të liderave.
Berisha është figurë që lidhet me PD që në krijimin e saj, kemi besuar në të dhe janë arritur shumë gjëra. Nuk jam dakord me çdo gjë që po ndodh në PD pas 9 shtatorit, se janë krijuar struktura paralele që e kanë thelluar problemit.
Nuk mundet sot që nëse ke besuar në një gjë të thuash se jo nuk është ashtu, ti je inkoherent.
Lidhur me gratë në politikë ajo tha se marrin përsipër përgjegjësi me angazhimin e tyre.
Sipas saj, gruaja ka një rol shumë të rëndësishëm në jetë se është nënë dhe mban të mbledhur familjen dhe fëmijën.
Ajo vlerësoi si politikane Jorida Tabakun si fisnike dhe se i ka pëlqyer qëndrimi i saj në Komisionin për Inceneratorët, duke thënë se sfidoi Kryeministrin dhe kryetarin e bashkisë.



