
Dërgimi i mjeteve të higjienës personale, si letra të lagura dhe të thata, sapun apo ujë të pijshëm i fëmijëve në çerdhet dhe në kopshtet shtetërore të Tiranës është një shqetësim i ngritur nga prindërit.
Jashtë kamerave, një pjesë e tyre shprehen të pakënaqur nga një kërkesë e tillë e institucioneve paraarsimore, por sipas drejtoreshës së D.A.R. Tiranë, Arjola Byzyka, diçka e tillë është një kërkesë e ardhur nga vetë prindërit.
Byzyka tërheq vëmendjen për numrin e lartë të debitorëve sa u takon detyrimeve mujore.
Sa i takon menusë ushqimore, për të cilën thuhet se po ndryshon në mënyrë të pazëshme, për t’iu rikthyer gradualisht menusë së vjetër, drejtoresha e DAR mohon që diçka e tillë të ndodhë menjëherë dhe pa konsultime.
Sipas saj, menuja e re është shumë e studiuar dhe ndryshimet e herëpashershme në të nuk kanë të bëjnë me rikthimin te menuja e vjetër, por me një përshtatje të regjimit ushqimor sipas stinëve.



