
Petro Kotin, kreu i operatorit shtetëror të energjisë bërthamore të Ukrainës, Energoatom, vizitoi një nga seksionet e të ashtuquajturit Pylli i Kuq në zonën e përjashtimit të Çernobilit së bashku me specialistë dhe vëzhgoi rrezatim “anormalisht të lartë” në zonat ku trupat ruse hapën llogore dhe u përpoqën të ndërtojnë fortifikime.
Në një deklaratë në Telegram, Energoatom tha, “vlera anormalisht të larta të rrezatimit u regjistruan” në zonë.
Indikacionet e rrezatimit të jashtëm ishin 10 deri në 15 herë më të larta se normalja, dhe se rrezatimi i mundshëm i brendshëm i marrë nga kontakti me sipërfaqen e tokës mund të jetë 160 herë më shumë se norma, shtoi ai.
“Një faktor tjetër i rrezatimit të brendshëm është ndotja Alfa e formuar si rezultat i fragmenteve të karburantit bërthamor të rrezatuar, muraturave grafit të shpërndara në këtë pjesë të Pyllit të Kuq” pas fatkeqësisë së Çernobilit të vitit 1986,” thuhej në deklaratë.
“Këto fragmente tani gjenden në një thellësi 40-80 centimetra, ndërsa pushtuesit gërmuan më thellë. Kur ndodhet brenda trupit të njeriut, ky lloj rrezatimi ka një efekt dhjetëra e qindra herë më të fuqishëm se ai nga rrezatimi gama dhe beta. Kështu që të gjithë pushtuesit që u vendosën në Pyllin e Kuq, në pothuajse 30 ditë, duhet të presin sëmundje nga rrezatimi të shkallëve të ndryshme të ashpërsisë,” shtoi ai.
Në një deklaratë të veçantë, Energoatom tha se trupat ruse që pushtuan territorin e uzinës së Çernobilit “grabitën dhe shkatërruan gjithashtu zyrat dhe laboratorin e Institutit për Sigurinë Bërthamore.
Ata morën kompjuterë, pajisje zyre, thyen ose shkatërruan pajisjet laboratorike dhe pajisjet matëse dhe plaçkitën garazhe me automjete të përdorura për dërgimin e shkencëtarëve në vendet kërkimore.



