Harta e re gjyqësore, Bajrami e Kosteri: Sistemi është kolaps, qytetarët presin me vite

Harta e re gjyqësore, Bajrami e Kosteri: Sistemi është kolaps, qytetarët presin me vite

Dhoma e Avokatisë Vlorë dhe Shkodër, përmes një deklarate publike drejtuar Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Ministrisë së Drejtësisë, ka kërkuar urgjentisht rishikimin e hartës gjyqësore. 

 

Durim Bajrami, kreu i Dhomës së Avokatisë Vlorë, tha përmes një lidhjeje të drejtpërdrejtë me studion e lajmeve të MCN TV se centralizimi i gjykatave ka krijuar një mbingarkesë serioze dhe vonesa në shqyrtimin e çështjeve, duke shtuar kosto për qytetarët dhe profesionistët. 

 

Sipas Bajramit, sistemi është në kolaps dhe zgjidhja e parashikuar nga KLGJ nuk do të ndodhë kurrë. 

 

“Centralizimi i gjykatave ka krijuar mbingarkesë serioze, vonesa në shqyrtimin e çështjeve, duke shtuar kosto për qytetarin dhe ne si profesionistë, duke i mohuar aksesin real në drejtësi dhe duke e vështirësuar atë ndjeshëm. Ne e kemi trajtuar që në fillim që cenon të drejtën e individit për t’iu drejtuar gjykatës, siç parashikon neni 42 i Kushtetutës. Në këtë histori nuk ka fitues. Këtu janë humbës të gjithë, që nga qytetari nga Vermoshi e deri në Konispol. Të humbur janë dhe ata që e ideuan dhe bënë këtë hartë. 

 

Sistemi është në kolaps. Ata parashikojnë të zgjidhen në 2030. S’ka për të ndodhur kurrë.”

 

Anton Kosteri, kreu i Dhomës së Avokatisë Shkodër, tha se qytetarët nuk po marrin shërbimin që u takon. 

 

Po ashtu, Kosteri tha se ka mungesë të numrit të gjyqtarëve dhe se mungon infrastruktura që të kryhet detyra si duhet. 

 

“Është një shërbim që duhet t’u jepet qytetarëve, t’u garantohet dhe t’u jepet mundësia ta marrin afër banesave të tyre. Është e drejta e çdo individi për t’iu drejtuar gjykatës. Një njeri që i drejtohet gjykatës për një pension, për një gjobë, urdhër mbrojtjeje, çdo palë ka të drejtë të ankohet në Gjykatën e Apelit. Si mund ta marrë shërbimin në Gjykatën e Apelit një qytetar që ndodhet në skajin fundor të Shqipërisë? Nuk them që ishte perfekt, por gjyqtarët e kishin afër Gjykatën e Apelit, e kishin një mundësi të merrnin një përgjigje. Sot presin me vite. Gjykata shqyrton çështje të vitit 2018-2019. Gjykata e Apelit ka 40 gjyqtarë, ndërkohë organika është 78. Ka gjyqtarë që nuk kanë një zyrë për të mbajtur dosjen e tyre, që janë sekret. Mua më vjen keq edhe për ata gjyqtarë që nuk e zhvillojnë normalisht detyrën e tyre të shenjtë.”

MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Drupal Ad
Drupal Ad
MCN Radio logo
MCN Radio
103.1 FM
Radio
Intro

MCN TV është një televizion gjeneralist, i cili përfshin emisione, seriale, filma, dokumentarë etj. Ky televizion ka në dispozicion të tij katër studio televizive të pajisura me teknologjinë bashkëkohore.

Kategoritë
Streaming

MCN TV

MCN Radio

Contact

info@mcn.tv.al

+355 422 00200

All rights reserved. MCN 2025

Terms and ConditionsPrivacy Policy