Kryetari i PD, Lulzim Basha, ka publikuar sot një mesazh për numëruesit dhe komisionerët. Basha u bën thirrje numëruesve të vijojnë numërimin dhe të mos lejojnë tjetërsim të vullnetit. Thirrja e Bashës drejtuar komisionerëve është e para që prej daljes së rezultateve që e projektojnë PD-në forcë e dytë me një humbje të konsiderueshme në krahasim me zgjedhjet e vitit 2013.
“Të dashur komisionerë, numërues dhe vëzhgues të PD: Numërimi i votave vazhdon në kushte të vështira për ju, të orëve të gjata, të vapës dhe nën presionin e kundërshtarëve. Secili prej jush ka mirënjohjen më të thellë dhe mbështetjen totale të demokratëve dhe timen për të garantuar numërimin deri në fund të çdo vote. Mos lejoni asnjë deformim, asnjë tjetërsim të vullnetit. Çdo votë vlen, çdo votë duhet numëruar, çdo votë duhet llogaritur deri në fund. Për demokratët dhe të gjithë qytetarët e ndershëm të këtij vendi, ju jeni shembulli më i lartë i kurajos politike dhe qytetare.
Lulzim Basha”.



