Cilësia e ujërave larës në Shqipëri ka shkuar drejt përkeqësimit në vitin 2023, duke shënuar kështu situatën më shqetësuese në tetë vitet e fundit.
Kjo sipas raportit të fundit të publikuar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, i cili nxjerr në pah ndotjen në një pjesë të mirë të zonave bregdetare duke filluar nga Velipoja e deri në Vlorë, me një përqindje prej 27.% të plazheve të vendit, në kategorinë cilësi e keqe.
Dokumenti i cili vjen 6 muaj me vonesë zbulon se pjesa më e madhe e ndotësve mikrobiologjikë e kimikë të ujërave larëse, e kanë origjinën nga aktivitetet njerëzore dhe shkarkimi i ujërave urbane të patrajtuara.
Në raportin për gjendjen e mjedisit 2023, zonat më shqetësuese paraqiten në bregdetin e Durrësit, në Golem, Qerret, Spille, në Shëngjin dhe Tale, por edhe 40% të plazheve në Vlorë, të cilët rezultojnë me cilësi të keqe dhe ndaj kërkojnë masa të menjëhershme.
Ndër plazhet me cilësi të shkëlqyer dhe pa prani të baktereve të rrezikshme për shëndetin e njeriut, janë Lukova, Livadhi, Jala dhe Borshi.
Përpos ndotjeve të ujërave, edhe niveli i ndotjes i ajrit shfaqet njësoj shqetësues, pasi rezulton mbi normat e lejuara nga OBSH në disa qytete të vendit, kjo për shkak të sasisë së lartë të grimcave të pluhurit.
Referuar të dhënave vjetore në stacionet e matjes së cilësisë së ajrit, Tirana është qyteti më i ndotur me tejkalim të normës me 35.8%, i ndjekur nga Durrësi, Elbasani dhe Korça.



