Këngëtarja iraniane Parastoo Ahmadi ka publikuar në kanalin e saj në YouTube videon e një koncerti në të cilin ajo performon pa hixhabin e vendosur me ligj për gratë iraniane, duke tërhequr mbështetjen e fansave të shumtë por edhe zemërimin e policisë së moralit.
E veshur me një fustan mbrëmjeje me shpatulla zbuluar dhe flokë të gjatë të errët, Ahmadi këndon për rreth tridhjetë minuta në një shfaqje live pa audiencë, data dhe vendi i të cilit nuk dihen.
Sipas raportimeve ajo është filmuar në Iran. Ahmadi fitoi një numër të madh fansash, mbi 14.000 ndjekës duke postuar këngët e saj në Instagram, përfshirë baladat e publikuara në vitet 2022-2023 në mbështetje të protestave masive të lëvizjes “Gruaja, Jeta, Liria”, e lindur pas vdekjes në paraburgim të Mahsa Aminit, e arrestuar për mosmbajtjen e shamisë.
Pa përmendur emrin e saj, Agjencia e Lajmeve të Drejtësisë në Iran dënoi faktin se një grup i udhëhequr nga një këngëtare prodhonte muzikë pa respektuar rregullat ligjore dhe fetare.
“Autoritetet ndërhynë dhe morën masat e duhura, duke hapur procedime kundër këngëtares dhe kompanisë së prodhimit”, raportoi agjencia Mizan.



