
Kompanitë kineze po fitojnë me shpejtësi terren edhe në fushën e teknologjisë. “Tencent” renditet e pesta në kompanitë më të fuqishme në botë. Por edhe pse në Perëndim pak mund të kenë dëgjuar për të, ajo vlen 500 miliardë dollarë. Gjiganti kinez i internetit ka kryer një sërë investimesh të profilit të lartë që përfshijnë “Snapchat”, “Spotify”, “Tesla” dhe filma të Hollivudit.
“Tencen” është themeluar pothuajse 20 vjet më parë në Shenzen, por vitin e fundit ajo është rritur në mënyrë të menjëhershme.
Janë 3 shtyllat mbi të cilat mbështetet “Tencen”: aplikacioni i tij i mesazheve WeChat, rrjeti që ka ekskluzivitetin si marka më e madhe e lojërave në celularë, dhe një sistem i ndërtuar me rreth 1 miliard përdorues që shfrytëzojnë shërbimet e ofruara nga bizneset e Silicon Valley, që nuk operojnë në Kinë.
Ajo ka krijuar versionin e saj të Netflix-it, një platformë që njihet si Tencent Video, më e madhja në Kinë, me më shumë se 40 milionë të abonuar që paguajnë për shërbimet e saj.
“Tencent” ka një marrëdhënie përfitimi dypalësh me shtetin kinez, i cili e ka lejuar të shtrijë shërbimet në shumë fusha pa pengesat dhe konkurrencën që haset në vendet perëndimore.
Vitin e kaluar, “Tencent” u bë kompania e parë kineze që e kaloi vlerën e tregut prej 500 miliardë dollarë, duke i zënë vendin “Facebook”-ut si kompania e pestë më e madhe në botë.
Në krye të saj qëndron Ma Huateng, 46 vjeç, i njohur si “Pony” Ma. Në vitin 2014, kompania ishte në prag të blerjes së “What’sApp”-it, por bisedimet u shtynë për shkak të një operacioni që Ma u desh të kryente me urgjencë. Ky moment u shfrytëzua nga Marc Zuckerberg, i cili nxitoi të vinte në tavolinë një ofertë prej 19 miliardë dollarësh, marrëveshja më e madhe që “Facebook” ka bërë deri tani.
Në fund të vitit të kaluar, Ma mori 12% të “Snapchat”-it, ndërsa disa muaj më parë kishte blerë 5% të aksioneve të makinës elektrike “Tesla”.
“Tencent Music” po i kthen në “xhuxhmaxhuxhë” gjigantë si “Apple”-it dhe “Spotify” në Kinë.
Ajo ka në pronësi një nga lojërat më fitimprurësenë botë, “Honour of Kings”, e cila ka 200 milionë përdorues në muaj dhe gjeneron 1 miliardë dollarë. Në Kinë, kjo lojë është aq popullore, saqë në një artikull të gazetës qeveritare “People’s Daily” pak muaj më parë, ajo krahasohej me varësinë nga droga. Analistët thonë se shërbimet e ofruara nga “Tencent” përdoren nga 2/3 e kinezëve, të cilët kalojnë mesatarisht 1.7 miliardë orë në total gjatë një dite.
Kushtet e mbrojtura të tregut dhe ndryshimi i madh që ekziston mes zakoneve të përdoruesve perëndimorë të aplikacioneve dhe atyre kinezë e kanë lejuar “Tencent” të lulëzojë, por edhe të hedhë sytë përtej Kinës. Analistët thonë se “Tencent” është përpjekur fort të shtrihet në tregjet ndërkombëtare, por tregu i konsoliduar ka krijuar vështirësi. / The Guardian / Përgatiti: Gazmira Sokoli /



