
41 organizata mjedisore i janë drejtuar me një letër kryeministrit Edi Rama dhe ministrit të Bujqësisë, Sofjan Jaupaj, duke kërkuar pezullimin e projektit të ndërtimit të një resorti turistik në ishullin e Sazanit.
I ftuar në “MCN Live”, Aleksandër Trajçe nga organizata PPNEA theksoi se projekti rrezikon seriozisht biodiversitetin e zonës dhe prek habitate kritike për disa specie detare të mbrojtura, jo vetëm për Shqipërinë, por për gjithë Mesdheun.
Ai tha se Sazani dhe ujërat përreth tij janë zona të mbrojtura me rëndësi të veçantë ekologjike.
Ky projekt dëmton zona të mbrojtura që janë jetike për ekosistemin tonë dhe atë të Mesdheut.
Po përballemi me një sulm të vrullshëm ndërtimesh, që në emër të zhvillimit elitar sjell vetëm betonizim të bregdetit.
Organizatat mjedisore kanë qenë prej vitesh kundër ndërhyrjeve të tilla, si në Sazan ashtu edhe në zona të tjera të mbrojtura si Vjosa dhe Narta.
Menjëherë pasi projekti u bë publik rreth dy vite më parë, u ndryshua edhe ligji për zonat e mbrojtura, duke hapur rrugën për ndërtime infrastrukturore.
Në letër flitet për zhvillim turistik elitar, por në realitet po shkatërrohen zona të mbrojtura bregdetare. Impakti negativ nuk është vetëm lokal, por prek ekosistemin mesdhetar në një shkallë shumë më të gjerë.
Në letër theksohet se livadhet e Posidonia oceanica dhe shpellat bregdetare të Sazanit janë habitate kyçe dhe të pazëvendësueshme për ekosistemin e Mesdheut.
Ishulli dhe ujërat përreth tij janë habitat jetik për disa nga speciet më të rrezikuara detare në botë, përfshirë fokën e Mesdheut (Monachus monachus), e përfshirë në Listën e Kuqe të IUCN-së dhe e mbrojtur nga Konventa për Speciet Migratore.
Nga ana tjetër, ambientalisti Lavdosh Feruni vlerësoi se dhënia e zonave të mbrojtura për qëllime turistike, për shkak të rëndësisë që kanë, duhet të kalojë përmes një procesi demokratik, që është Referendumi.
Një vendim i tillë nuk mund të merret vetëm nga mazhoranca. Duhet ose një referendum popullor, ose të kalojë në Parlament me një shumicë të cilësuar votash, prej ¾ .
Çështja nuk është politike, por lidhet me pronësinë dhe fatin e territorit. Një pjesë e qytetarëve mund ta mbështesin projektin, por një pjesë edhe më e madhe e kundërshtojnë, veçanërisht kur bëhet fjalë për dhënien e një territori të mbrojtur një kompanie të huaj.
Pse duhet të jetë kjo kompani dhe jo një tjetër? Pse nuk ka tender dhe garë të hapur? Pse Sazani dhe Zverneci, që janë zona të mbrojtura, duhet t’i jepen një kompanie të caktuar? Këto janë pyetje që kërkojnë transparencë dhe vendimmarrje demokratike.



