
Kryeministri Edi Rama i ka dërguar një letër të hapur dhe publike të gjithë krerëve të partive politike të opozitës të cilat prej muajsh kanë djegur mandatetet e tyre të deputetëve.
Rama u ka bërë thirrje Lulzim Bashës, Monika Kryemadhit, Nard Ndokës, Agron Dukës, Vangjel Dules si dhe Dashamir Shehit e Fatmir Mediut, që të bëhen bashkë për t’u ulur në tryezën e bisedimeve për reformën zgjedhore.
Duke i ftuar që të ulen në tavolinën e bisedimeve për reformën zgjedhore, pa kushte, Kryeministri shprehet se në planin politik ndasitë mes tyre janë të mëdha dhe se pavarësisht faktit se opozita e ka braktisur jetën parlamentare me djegien e mandateve, kjo nuk e përjashton nga nevoja për të qenë një ndër aktorët kryesorë në reformën zgjedhore.
LETRA E RAMËS
FTESE PUBLIKE DREJTUESVE TE OPOZITES JOPARLAMENTARE Lulzim Basha, Monika Kryemadhi, Nard Ndoka, Vangjel Dule, Agron Duka, Dashamir Shehi, Fatmir Mediu
Të nderuar zotërinj, e nderuar zonjë,
Ju drejtohem publikisht në përpjekjen për të krijuar një hapësirë dialogu e ndërveprimi mes nesh, lidhur me një sfidë të përbashkët të një rëndësie kombëtare, Reformën Zgjedhore.
Kundërshtitë tona në aspektin politik janë botërisht të njohura dhe pozicionet respektive, në raport me hapësirën institucionale të vendit po ashtu.
Sidoqoftë, përtej skajshmërisë së dallimeve tona, ne as nuk e kemi zgjedhur njëri-tjetrin dhe as nuk e zhbëjmë dot ekzistencën e njëri-tjetrit. Pra jemi të dënuar të bashkëjetojmë pavarësisht jopëlqyeshmërisë reciproke, për sa kohë të tjerët, zgjedhësit, na kanë dhënë mandate përfaqësimi, disave për të qeverisur e disave për të bërë opozitë.
Ju vendosët t’i digjni mandatet e hyrjes në Kuvend dhe të vetëpërjashtoheni nga jeta parlamentare e kësaj legjislature. Por gjithësesi, deri në zgjedhjet e qershorit 2021, ju jeni të votuar për të përfaqësuar një pjesë jo të vogël të zgjedhësve shqiptarë. Prandaj e dhe Kuvendi ka rezervuar një vend të posaçëm për ju, në Komisionin e Reformës Zgjedhore.
Procesi ka nisur në Kuvend me opozitën parlamentare dhe do të mbyllet në Kuvend natyrisht, por mungesa juaj ne institucionin më të lartë vendimmarrës të republikës, nuk ju përjashton vetvetiu nga hapësira e diskutimit për Reformën Zgjedhore. Përkundrazi. Të paktën ky është opinioni im dhe duke vënë re edhe mungesën tuaj në vetë tryezën e Komisionit Zgjedhor, ju ftoj të takohemi e të bashkëbisedojmë për këtë sfidë të përbashkët, në çdo kohë e vend që do t’ju vinte për shtat – sigurisht në rast se ju jeni të interesuar të përfshiheni në këtë proces. Pa kushte.
Ju faleminderit
EDI RAMA
* * *
Basha i përgjigjet letrës së Ramës: Reformën Zgjedhore s’e bëjmë dot me Damian Gjiknurin
Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka reaguar menjëherë pas letrës së kryeministrit Rama, duke e konsideruar si ofertë të pasinqertë. Basha tha se Reforma Zgjedhore nuk mund të bëhet me Damian Gjiknurin, i cili është pjesë e dosjes “184”.
“Dhënia fund krizës politike është prioritet absolut i Shqipërisë, i PD dhe i opozitës së bashkuar. Të gjithë e dimë se këtë krizë nuk e ka shkaktuar Kodi Zgjedhor, Kushtetuta dhe ligjet, pasi këto të fundit nuk janë përgjegjëse për Valdrin Pjetrin, Mark Babanin, Agim Kajmakun, dhe as për vjedhjet e votave të 30 qershorit. Zgjidhja e plotë për Shqipërinë dhe për lajmin pozitiv për integrim duhet të vijë vetëm nga zgjidhja e krizës politike. Nuk mund të fshihemi pas ftesës, që është ajo me një individ si Damian Gjiknuri, i përfshirë në dosjen 184”, tha Basha.
Sipas Lulzim Bashës, një ftesë e tillë është tallje dhe provokim, ndërsa me ironi i kërkoi Ramës që të ftojë edhe disa nga krerët e bandave, si Emiljano Shullazin, Bajrin, Avdylajt.
Kreu i PD-së tha se opozita ka përgatitur një platformë për këtë reformë, që duhet të përfshijë një transformim të thellë politik.



