Trajneri i Kombëtares, Silvinjo, foli në konferencë për mediat, në prag të miqësores së nesërme ndaj Kilit.
Silvinjo, deklaroi se skuadra duhet të jetë e fokusuar vetëm te dy miqësoret e këtij muaji dhe jo te Europiani.
Lojtarët e dinë që jemi afër Europianit. Ne jemi të grumbulluar prej tri ditësh, por flasim vetëm për Kilin dhe Suedinë. Nuk janë vetëm miqësore, Kili ka një skuadër të fortë, kanë shumë emra. Ata kanë luajtur në 9 Kupa Bote, ka kaluar të paktën tri herë në çerekfinalet e Botërorit. Një skuadër që është përballur me Kombëtaret e mëdha, janë mësuar me sfida të tilla.
Ndjesi e bukur si amerikano-latin që jam kjo ndeshje ndaj Kilit. Do të jetë kënaqësi të luajmë këtë ndeshje në një stadium të mbushur plot me tifozët shqiptarë. Do të jetë një ndeshje shumë e bukur.
I pyetur për sulmuesit, Silvinjo deklaroi se Manaj dhe Broja, mund të luajnë së bashku në formacion, për shkak se kanë karakteristika të ndryshme.
Është një moment i veçantë dhe i bukur për ne. Manaj dhe Hoxha për herë të parë me ne, pothuajse hera e dytë për Brojën. Ka ardhur edhe Sherri, i cili ka qenë edhe njëherë tjetër, por nuk ka luajtur. Po, në futboll është gjithçka e mundur.
Broja dhe Manaj kanë karakteristika të ndryshme, do t’i vlerësojmë të dy çdo ditë, por edhe të tjerët. Të gjithë. Nuk është problem për mua t’i aktivizoj të dy bashkë. Gjithçka mund të ndodhë në futboll.



