
Shkrimtarja dhe gazetarja Vera Isaku është ndarë nga jeta mbrëmjen e sotme, si pasojë e një sëmundje të rëndë prej së cilës vuajti për një kohë të gjatë. E lindur ne Bilisht, ku kaloi vitet e saj të fëmijërisë dhe të rinise së hershme , Vera Isaku kreu më pas studimet universitare për letërsi në Universitetin e Tiranës.
Pas përfundimit të universitetit, së bashku me bashkëshortin, poetin Agim Isaku, ajo jetoi dhe punoi për një kohë të gjatë në Lezhë. Me nisjen e proceseve demokratike, ajo iu bashkua shtypit opozitar, duke qenë gazetarja e parë femër e gazetës Rilindja Demokratike. Isaku ka qenë gjithashtu drejtuese në Radio-Televizionin Shqiptar dhe drejtore e Qendrës Ndërkombëtare të Kulturës.
Ajo është autore e një serie librash në zhanre te ndryshme si romani, tregimi, poezia dhe eseistika. Në vitet e fundit ajo iu kushtua edhe pikturës duke hapur një ekspozitë te suksesshme me 30 punime në 2015.



