Autoritetet belge kanë arrestuar një grua kanadeze me origjinë kineze, e cila kryente praktikën në selinë ushtarake të NATO-s në Belgjikë, nën dyshimet për spiunazh dhe përfshirje në një organizatë kriminale.
Lajmi u konfirmua nga Zyra e Prokurorit Federal të Belgjikës, e cila bëri të ditur se e dyshuara akuzohet për "spiunazh në emër të një vendi të tretë" dhe për anëtarësim në një organizatë kriminale. Autoritetet nuk kanë zbuluar identitetin e saj, as shtetin apo organizatën për të cilën dyshohet se ka kryer aktivitetin e spiunazhit.
Sipas prokurorisë, gruaja ishte praktikante në Shtabin Suprem të Fuqive Aleate për Evropën (SHAPE), selia kryesore ushtarake e NATO-s në qytetin Mons të Belgjikës. SHAPE është qendra e Komandës Aleate të Operacioneve dhe ka përgjegjësinë për planifikimin dhe drejtimin e operacioneve ushtarake të aleancës me 32 shtete anëtare.
Hetimi nisi pasi shërbimet e sigurisë së SHAPE identifikuan sjellje të dyshimta dhe njoftuan shërbimet belge të inteligjencës. Si pjesë e hetimeve, autoritetet kryen kontrolle në banesën e të dyshuarës dhe në ambientet ku ajo punonte, përpara se ta arrestonin të premten.
Një zëdhënës i SHAPE deklaroi se deri tani nuk ka asnjë tregues që incidenti të ketë ndikuar në gatishmërinë operacionale të NATO-s, sistemet e komandës dhe kontrollit apo në misionet e aleancës.
"SHAPE vazhdon të kryejë detyrat e tij pa asnjë ndërprerje", tha zëdhënësi.
Ndërkohë, Zyra e Prokurorit Federal bëri të ditur se nuk do të japë detaje të tjera, pasi hetimet janë ende në zhvillim.



