
Shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, nga Forumin për Siguri të mbajtur në Budapest të Hungarisë teksa foli për rrugën e Kosovës drejt BE-së, e vuri theksin tek zbatimi i marrëveshjes së Ohrit pa kushte.
“E ritheksova se e ardhmja e Kosovës është padyshim në Bashkimin Europian. Kosova duhet të bëjë progres të prekshëm dhe të pakthyeshëm, duke filluar nga bazat, përkatësisht sundimi i ligjit, të drejtat e njeriut, ekonomia dhe funksionimi i institucioneve demokratike. BE pret që Kosova dhe Serbia të zbatojnë Marrëveshjen për Rrugën e Normalizimit dhe Aneksin e Zbatimit të saj pa asnjë vonesë apo parakusht.”, tha shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.
Ndërkohë, pas vizitës së kryeministrit Kurti në Berlin, ka qenë ministria e punëve të jashtme të Gjermanisë që ka njoftuar se temë kryesore e takimit me kryeministrin e Kosovës ka qenë anëtarësimi në Këshillin e Europës.
“Më pak se tri javë deri në takimin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës në Strasburg. Baerbock diskutoi me Albin Kurtin në margjinat e konferencës së Petersberg-ut se cilat janë tani hapat e mëtejshëm nëse Kosovës do t’i hapet rruga drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës.”, tha ministria e punëve të jashtme në Gjermani.
Bisedimet e fundit mes Kosovës dhe Serbisë në rrafsh teknik janë mbajtur të premten në Bruksel për çështjen e dinarit, por ende pa gjetur një zgjidhje.
Ndërkohë, anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës ka shqetësuar Beogradin, i cili ka nisur një fushatë lobimi kundër kësaj të fundit.



