Një juri në Los Anxhelos e ka shpallur fajtor aktorin amerikan Danny Masterson për dy nga tre akuzat e përdhunimit. Ylli i serialit "That '70 Show", rrezikon deri në 30 vjet burg. Ai u nxor nga gjykata në pranga.
Tre gra, të gjitha ish-anëtare të Kishës së Scientologjisë, e akuzuan aktorin për sulm seksual në shtëpinë e tij në Hollywood nga 2001-03.
Prokurorët argumentuan se Masterson ishte mbështetur në statusin e tij si një Scientologist i shquar për të shmangur përgjegjësinë.
Juria e përbërë nga shtatë gra dhe pesë burra nuk ishte në gjendje të merrte një vendim për një akuzë të tretë pas një jave diskutimesh, duke përfunduar në bllokim në 8-4.
Një nga viktimat e tij, e cila u përdhunua në vitin 2003, tha në një deklaratë të cituar nga Associated Pressv se: "Unë po përjetoj një sërë emocionesh komplekse lehtësim, rraskapitje, forcë, trishtim - duke e ditur se dhunuesi im, Danny Masterson, do të përballet me përgjegjësi për sjelljen e tij kriminale”.
Gruaja e Masterson-it, aktorja dhe modelja Bijou Phillips, qau ndërsa ai po largohej, raporton CBS News.
Masterson u akuzua për herë të parë për përdhunim në vitin 2017 gjatë kulmit të lëvizjes #MeToo. Ai u përgjigj duke thënë se nuk ishte akuzuar apo dënuar për një krim dhe se në klimën e asaj kohe “duket sikur prezumohesh fajtor në momentin që akuzohesh”.
Akuzat erdhën pas një hetimi tre-vjeçar nga Departamenti i Policisë së Los Anxhelosit. Prokurorët nuk ngritën akuza në dy raste të tjera për shkak të provave të pamjaftueshme dhe skadimit të parashkrimit.
Gjatë gjithë gjyqit, prokurorët argumentuan se Kisha e Scientology kishte ndihmuar në fshehjen e sulmeve një pretendim që organizata e ka mohuar kategorikisht.
Në vend të kësaj, ata u detyruan të mbështeteshin në "sistemin e brendshëm të drejtësisë" të Kishës, thanë prokurorët.



