
10 maji është shpallur Dita Kombëtare e Drejtësisë dhe lidhet me miratimin e aktit të parë të shtetit shqiptar në fushën e drejtësisë. Kanuni i Zhurisë, që ndërtonte një sistem të së drejtës penale, bazuar në gjykimin me juri, u miratua si akt në vitin 1913.
Megjithatë, në lidhje me datën mund të ketë paqartësi. Në studion e lajmeve në MCN TV, Erind Mërkuri, lektor i së drejtës kushtetuese, tha se lidhur me këtë moment të rëndësishëm për shtetin shqiptar, nga arkivat rezultojnë dy data.
“Nga hulumtimet rezultonte sikur ky akt është miratuar më 10 maj 1913. Në fakt, në Arkivën e Shtetit janë dy dosje në lidhje me këtë akt. Në dosjen 137 është Kanuni i Zhurisë, që mban datën 10 maj dhe firmën e ministrit të Drejtësisë. Ndërkohë, ka një dosje tjetër që mban një titull tjetër, ligji për ndarjen e kompetencave mes gjykatave civile dhe penale dhe gjykimin me juri. Kur hap dosjen, është po kanuni i Zhurisë. Ky dokument, ose dosja 133, ka në fund një shënim ku thotë ‘u këndua në mbledhjen e qeverisë më dt. 23 maj 1913 dhe u aprovua prej tij’. Mbi bazën e këtij dokumenti, i bie të jetë miratuar më 23 maj dhe jo më 10 maj”, tha ai.
Megjithëse thekson se më e rëndësishme mbetet simbolika e kësaj dite sesa data, Mërkuri shton se dy datat mund të shpjegohen si koha kur është propozuar akti dhe momenti kur është miratuar.
Sipas tij, tashmë është e pamundur të saktësohet përfundimisht se cila është data e vërtetë e miratimit të këtij akti, pasi arkiva e qeverisë së Vlorës iu dorëzua qeverisë së Princ Vidit dhe më pas u dogj nga rebelët kur Durrësi u mor prej tyre.



