
Një skuadër vdekjeje që vepron brenda forcave të policisë në Kenia po përdor Facebook-un për të gjurmuar dhe vrarë të rinj që besohet se janë anëtarë të grupeve gangstere, banorë të një zone të varfër dhe të mbipopulluar.
Në një takim me anëtarët e komunitetit u sollën plot dëshmi të të afërmve të vrarë.
Prokurori i shtetit, oficerë të lartë të policisë dhe aktivistë të të drejtave të njeriut qenë gjithashtu në takim.
Këta të rinj që dyshohet të jenë kriminelë përfshihen në grupe të ndryshme në Facebook nga “gjahtarët e gangsterëve”.
Dëshmitarët thonë se ata i profilizojnë në Facebook, një javë a një muaj pasi i kanë qëlluar dhe vënë foto të trupave të tyre të vdekur.
Foto e postuara, që shpesh janë imazhe të afërta të kokave të gjakosura, shpesh shoqërohen me paralajmërime të tipit: të gjithë kriminelët i pret i njëjti fat!
Banorët e Kayole-s thonë se këto grupe postojnë foto të tilla thuajse përditë.
Duncan Omanga, një kërkues në Moi University në Kenia që ka tre vjet që monitoron faqet e Facebook-t, thotë se oficerët e policisë që dyshohen, përdorin profil digjital anonim për të spiunuar shënjestrën e tyre.



