
Ministrja e punëve të Jashtme, Olta Xhaçka është pritur në një takim nga homologja e saj kosovare, Donika Gërvalla.
Në një deklaratë të përbashkët për shtyp, Xhaçka deklaroi se në 110 vite pavarësi, sot situata e shqiptarëve në rajon është transformuar rrënjësisht.
Duke vijuar më tej, ministrja përgëzoi Kosovën për marrëveshjen e arritur dy ditë më parë për Serbinë dhe shtoi se kjo gjë ndihmon në përshpejtimin e arritjes së marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
110 vjet më vonë, ne kemi një situatë të transformuar rrënjësisht të shqiptarëve në rajonin tonë. Kemi Shqipërinë e Kosovën, por kemi edhe një progres të jashtëzakonshëm të shqiptarëve kudo në rajon, për sa i përket të drejtave të tyre. Shqiptarët sot janë një faktor i rëndësishëm stabiliteti, garantë të paqes e stabilitetit në rajon dhe të perspektivës euro-atlantike të Ballkanit Perëndimor.
Është bërë shumë progres por ka ende edhe shumë punë për të bërë dhe është kjo arsyeja përse Shqipëria dhe Kosova janë dakordësuar për të punuar së bashku për mbrojtjen dhe afirmimin e interesave kombëtare, ku një vëmendje e veçantë i kushtohet interesave të bashkëkombësve tanë në Luginën e Preshevës duke vënë theksin në nevojën e mbështetjes më tej të projekteve të përbashkëta.
Por padyshim, çështja më e rëndësishme në këtë kontekst, është mbështetja e Dialogut Kosovë – Serbi dhe arritja eventuale e një marrëveshje të detyrueshme ligjore, që sjell njohjen e ndërsjelltë mes dy vendeve dhe i hap rrugë anëtarësimit në Kosovës në OKB dhe organizata të tjera ndërkombëtare. Arritja e kësaj marrëveshje është padyshim një domosdoshmëri jo vetëm për Kosovën, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë rajonin.
Unë dua të përgëzoj edhe publikisht Qeverinë e Kosovës për arritjen e marrëveshjes para dy ditësh, që jo vetëm ndihmon në uljen e tensioneve, por edhe krijon kushte shumë më të përshtatshme për t’u fokusuar me urgjencë, me mbështetjen dhe ndërmjetësimin e aleatëve tanë europianë dhe amerikanë, tek arritja e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. E padyshim me mbështetjen e pakufizuar të Shqipërisë në çdo hap të këtij procesi.
Shqipëria e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në të gjithë këtë rrugëtim, sepse siç e preka më lart, për ne ky është një interes kombëtar. Ne mbështesim aspiratat e Kosovës për integrim Euroatlantik, duke qenë pro-aktivë për forcimin e institucionalizimit të marrëdhënieve të Kosovës me Aleancën Atlantike, mbështesim të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për transformimin gradual të Forcave të Sigurisë së Kosovës në një Forcë të Armatosur. Mirëpresim synimin e Kosovës për t’u përfshirë në Partneritetin për Paqe duke ofruar për këtë edhe ekspertizën tonë. Ndërkohë që do të vazhdojmë të këmbëngulim për anëtarësimin e Kosovës në iniciativën SHBA-Karta e Adriatikut (A5).
Në bashkëpunim shumë të ngushtë, jemi gjithashtu të angazhuar për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës. Dhe në kuadër të Këshillit të Evropës, është në të drejtën tonë të kërkojmë që zëri dhe shqetësimi ynë lidhur me akuzat e pretenduara në Rezolutën e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës të vitit 2011 për trafik organesh, të merren në konsideratë seriozisht nga Asambleja Parlamentare dhe është në nderin e Asamblesë Parlamentare që të vërë në vend këtë padrejtësi, pas hetimeve të thelluara ku nuk u provua dhe nuk përmendet në asnjë rresht trafiku i organeve.



