Gazetarja Ola Xama e ftuar në emisionin "Të Paekspozuarit" tha se përgjimet tregojnë një fushatë të drejtuar nga Erion Veliaj kundër prokurorëve të SPAK, përmes mediave që i kanë sulmuar ata edhe në nivel personal. Ajo kërkoi që SPAK të sqarojë nëse këto media veprojnë me bindje apo janë ndikuar financiarisht nga kompania "Gogel" e vëllait të Veliajt.
Sipas Xamës, Veliaj ka tentuar të ndikojë në KLP dhe të mobilizojë Dhomën e Avokatisë kundër prokurorit të çështjes. Ajo kritikoi publikimin e bisedave private nga përgjimet, duke theksuar se SPAK duhet të ruajë dinjitetin dhe të mos ekspozojë informacione që nuk lidhen me çështjen penale.
"Përgjimet tregojnë fushatën e dirigjuar nga Veliaj kundër prokurorëve të SPAK. Pamë lajme që nxinin personalisht prokurorët, që bënin punën e tyre. Kur një zyrtar është nën hetim, ka të drejtën e tij të ketë fjalën, por jo në denigrim personal duke iu futur në familje një prokurori. Kjo është shumë e gabuar.
SPAK duhet të thotë, nëse këto media që i janë bindur Veliajt e kanë bindje personale, apo janë paguar nga kompania e vëllait të Veliajt, Gogel. Këtë përgjigje të japë SPAK, që po heton. Një tjetër pikë që del, është çështja se si kërkon të ndikojë në KLP, edhe pse KLP nuk e ka bërë, por shprehet që "tregoji atyre kush i ka emëruar".
Po ashtu si vë në lëvizje Dhomën Kombëtare të Avokatisë që ta mbështesë dhe të nisë hetim disiplinor për prokurorin e çështjes. Kjo kërkesë është bërë. Ai ankohet ndaj Ulsi Manjës dhe kërkon trajtim preferencial. Ministri në këtë rast ka zbatuar ligjin, mbase sepse çështja ka qenë sensitive.
Ajo që nuk jam dakord, është zbulimi i disa bisedave personale, që SPAK është dinjitoz dhe nuk duhet. Bisedat personale, çfarë ka folur me familjarët, nuk duhet të zbulohen për sa kohë nuk përbën asgjë për faktin penal", tha Xama.



