Prokuroria e Krimeve të Rënda ka nisur hetimin pasuror, për biznesmenin Edmond Bega. Vendimi për hetim pasuror të tij vjen në kuadër të ligjit “Antimafia”, dhe hetimi ka nisur kryesisht për dyshime se ka përfituar fonde publike dhe nëse pasuritë apo bizneset që zotëron kanë lidhje me veprat penale për të cilat Bego është dënuar. Organi i akuzës do ta shtrijë hetimin edhe për rrethin e e afërt familjar dhe atë shoqëror, si personave të tjerë të përfshirë në marrëdhënie kontraktuale apo biznesi.
Biznesmeni Edmond Bego u ndalua një javë më parë në shtetin grek, me pretendimin se ndaj tij kishte një urdhër ndalimi nga pala italiane. Nga verifikimet rezultoi se ndaj Begos, nuk kishte asnjë kërkesë të tillë dhe se në vitin 2010 Gjykata e Lartë e kishte njohur vendimin e Gjykatës së Torinos për Begon, nga 21 vite burg, në katër vite e katër muaj. Nga kjo masë dënimi, Bego kreu në vendin tonë vetëm 1 vit e 11 muaj, ndërsa pjesën e mbetur ia fali me kusht Gjykata e Krujës. Edhe Partia Demokratike hodhi akuza në drejtim të tij dhe mazhorancës, pasi kjo e fundit sipas opozitës po favorizonte Begon me tendera dhe se nuk kishte marrë masa për ta ndaluar më parë.



