
Një 30-vjeçar është titani më i ri në botën e teknologjisë. Në fare pak kohë, Dylan Field mund të bëhet një nga miliarderët më të rinj në botë.
Bashkëthemeluesi dhe CEO i Figma, kompani me bazë në San Francisko, është në prag të një kapërcimi epik pasi Adobe (ADBE) njoftoi planet për të blerë kompaninë e tij për 20 miliardë dollarë këtë javë. Field do të qëndrojë me Figma dhe pritet të mbajë një pjesë të konsiderueshme të aksioneve në kompaninë e tij. Forbes e vlerësoi atë në 10%, që do të thotë se Field mund të nxjerrë fitime të majme nga marrëveshja.
E konsideruar si një rivalja e re e Adobe, Figma paraqitet si një "platformë projektimi për ekipet që ndërtojnë produkte së bashku". Tipari i saj dallues është se bazohet në cloud computing, gjë që i ka bërë produktet e saj veçanërisht të vlefshme për projektuesit dhe punëtorët e tjerë në distancë fizike gjatë pandemisë - ose për ata që vazhdojnë të bashkëpunojnë në mjedisin e sotëm hibrid të punës.
Adobe diti ta vlerësojë këtë risi. Blerja mendohet të jetë më e madhja në historinë e Adobe, megjithëse disa analistë të Wall Street kanë vënë në dyshim nëse është mbivlerësuar. Por shefi ekzekutiv i Adobe, Shantanu Narayen u tha investitorëve se marrëveshja do të "zgjerojë ndjeshëm shtrirjen dhe mundësinë e tregut".
Sido që të jetë, është një hap i fuqishëm për Field, i cili e hapi kompaninë “Figma” me Evan Wallace, një shok klase në Universitetin Broën, në vitin 2012. Sipas Wall Street Journal, Field jetonte në një apartament modest në San Francisko vetëm katër vjet më parë dhe kafen e pinte rrugës për në punë.
/ Barrons /



