
Çfarë dinit rreth gjumit mund të jetë veçse një ëndërr.
Sipas kërkimeve të bëra në NYU Langone Health's School of Medicine, e cila publikoi një studim në revistën “Sleep Health” (Shëndeti i Gjumit), shumë gjëra që dimë për gjumin, janë të pabazuara në fakte, madje mund të jenë të dëmshme për shëndetin.
"Një gjumë i mirë dhe një zgjim i suksesshëm janë shumë të lidhur mes tyre”, thotë udhëheqësja e studimit Rebecca Robbins. Ajo dhe kolegët e saj gërmuan nëpër rreth 8,000 website për të zbuluar çfarë ne mendojmë se dimë rreth zakoneve të gjumit. Ata ua paraqitën të dhënat një skuadre të përzgjedhur ekspertësh të ilaçeve të gjumit. Ekspertët përcaktuan se cilat qenë mite, duke i renditur sipas rëndësisë e dobisë që kanë në shëndet.
Ja ku janë 10 hamendësime tejet të gabuara e të pashëndetshme që ne bëjmë mbi gjumin, për të cilin ne shpenzojmë 1/3 e jetës. Nëse do të jetonim 100 vjet, do të ishin gjithsej rreth 12,227 ditë
Mjaft gogësive, erdhi koha t’i vësh në gjumë këto mite të pazëshme:
1. Të rriturit kanë nevojë për pesë apo më pak orë gjumë.
"Nëse duam të funksionojmë më së miri gjatë ditës, të mos sëmuremi, të jemi mendërisht të fuqshëm dhe për bëjmë jetën sipas dëshirës, ne duhet të bëjmë 7-10 orë në ditë gjumë, në varësi të moshës.
Sipas statistikave të “World Sleep Day” mungesa e gjumit po kërcënon shëndetin e mbi 45% të popullsisë së botës. Fjetja me vetëm 5 orë apo më pak në mënyrë të vazhdueshme, rrit rrezikun e problemeve të shëndetit, përfshirë sëmundjet kardiovaskulare dhe vdekjen e parakohshme.
Shkenca e ka lidhur mungesën e gjumit me probleme të presionit të gjakut, dobësimin e sistemit imunitar, rritjen në peshë, mungesë të libidos, luhatje të humorit, paranoian, depresionin, dementia, disa kancere etj.
2. Është e shëndetshme të të zërë gjumi kudo e në çdo kohë.
Fjetja e menjëhershmë sapo nis makina/treni/ avioni tregon se personi nuk është i çlodhur. Kjo tregon se personi nuk fle sa e si duhet, prandaj ai ka episode mini-gjumi. Trupi është aq i lodhur sa fillon “të marrë” gjumin për të cilin ka nevojë.
3. Truri dhe trupi mund të përshtaten me pak gjumë.
Trupi i njeriut kalon nëpër katër faza të ndara të gjumit për të ripërtërirë vetveten.
Në fazën një nis gjumi i lehtë, në fazën e dytë, që është edhe më e gjata, fillon e shkëputesh nga mjedisi ku je. Faza e tretë dhe e katërt përfshijnë gjumin më të thellë dhe ripërtëritës si dhe gjendjen e ëndërrave REM, në të cilën truri është shumë reagues, gati si në gjendjen zgjuar.
Gjendja REM mund të ndodhë në çdo fazë të gjumit, por zakonisht nis 90 minuta pas fjetjes. Ajo ndodh kur trupi dhe truri janë tëpër të zënë duke ruajtur kujtime, duke rregulluar humorin dhe duke mësuar. Muskujt e gjymtyrëve janë përkohësisht të paralizuar gjatë REM-it.
Gjatë një gjumi të mirë me faza të plota, mund të kalohen disa gjendje REM që marrin rreth 25% të kohës së përgjithshme të gjumit.
Gjumi i thellë është shumë i rëndësishëm për rigjenerimin e neuroneve, përtëritjen e muskujve dhe të sistemit imunitar.. Gjatë kësaj kohe valët e trurit ngadalësohen, lëshohet hormoni i rritjes dhe procesi i kujtesës vazhdon më tej.
Nëse dikush zgjohet nga gjumi i thellë do t’i duhet rreth 30 minuta të rimarrë veten.
4. Gërhitja edhe pse e bezdisshme është e padëmshme.
Gërhitjet e forta që ndërpriten nga pauza në frymëmarrje janë tregues të apneas, një çrregullim i gjumit që rrit rrezikun e infarktit, azmës, glaukomës, çrregullimeve të sjelljes etj.
Apnea është shumë e lodhshme, pasi njeriu fle dhe zgjohet vazhdimisht.
5. Pirja e alkoolit para gjumit të ndihmon të flesh.
Alkooli ndoshta ndihmon rënien në gjumë, por vetëm kaq, pasi prej tij gjumi bëhet më i shqetësuar, më i lehtë dhe shumë më pak cilësor.
6. Nuk të zë gjumi? Rri në shtrat me sytë mbyllur dhe vazhdo të përpiqesh.
Ekspertët thonë se përpjekja për më shumë se 15 minuta është e gabuar. Më e mira është që të çohesh dhe të ndërrosh mjedis, si dhe të bësh ndonjë aktivitet që nuk kërkon mendim: palos diçka etj.
7. Nuk ka rëndësi në cilën orë të ditës fle.
Ekspertët thonë se kjo ndikon negativisht në shëndet. Ka shumë rëndësi që të kemi orare të rregullta gjumi. Në këtë mënyrë kontrollojmë orën biologjike, ritmin e trupit, hormonet, temeperaturën, ngrënien dhe tretjen dhe ciklet e gjumit.
Kur ora jote e brendshme dhe bota jashtë nuk përkojnë, ti ndihesh i çorientuar, i mjegullt dhe përgjumësh tërë kohës. Veprimet e tua janë të ngadalta dhe vendimet jo më të mirat e mundshme.
8. Të shohësh TV në shtrat të ndihmon të çlodhesh.
Të gjithë kontrollojmë laptopin, celularët para gjumit. Fatkeqësisht kjo është një mënyrë për të bërë gjumë të keq gjatë natës.
Këto mjete lëshojnë dritë blu, pikërisht atë dritë që na zgjon në mëngjes dhe që ndikon në lëshimin e melatoninës në tru, hormonit të gjumit.
Përdorimi i mjeteve elektronike para gjumit, zgjat kohën e rënies në gjumë dhe dëmton cilësinë e tij.
9. Fike alarmin! Mos u ço menjëherë!
Të flesh edhe pak pas alarmit është shumë e gabuar. Gjumi yt do të jetë aspak cilësor.
Vëre mjetin e alarmit larg që të mos e mbërrish.
10. Të kujtosh ëndrrat e tua është shenjë e një gjumi të mirë.
Sipas një studimi në Francë, njerëzit që i mbajnë mend ëndrrat kanë aktivitet më të lartë të trurit, zgjohen së paku dy herë gjatë natës dhe janë më të ndjeshëm ndaj zhurmave qoftë zgjuar apo në gjumë.
Kërkimet treguan edhe mjaft mite të tjera…
Sa më shumë të flesh aq më mirë është. – Jo, më tepër gjumë se sa duhet, dëmton shëndetin.
Gjumi i pasdites ndihmon për Insomian. – Jo, në fakt në këtë mënyrë e ngatërron edhe më shumë orën tënde biologjike.
Është mirë ta kesh të ngrohtë dhomën e gjumit. – Jo, njeriu fle më mirë në temperatura të freskëta.
Gjumi është një proces aktiv shumë i rëndësishëm dhe i pazëvendësueshëm që ndihmon trupin të ripërtërihet.
Ëndrra të bukura!



