Në një takim me kryetarët e bashkive, Kryeministri Edi Rama shigjetoi kryebashkiakun e Vlorës, Ermal Dredha lidhur me ndërtimet pa leje dhe zënien e hapësirave publike duke thënë se i mban sytë gjysmë të mbyllur.
Ai deklaroi se do të duhet të bëhet një reformë me inspektoriatet, policinë bashkiake, IKMT dhe zyrat e urbanistikës.
Dobësia e pushtetit vendor ka dalë në pah edhe si rezultat i një ndryshimi shumë të madh të gjithë mënyrës së funksionimit të vendit, për shkak të faktit se vendi tanimë nuk mban vetëm banorët e vetë, por edhe një ngarkesë ekstra turistësh dhe vizitorësh në rritje dhe që sjell me vete sfida të reja të komplikuara dhe ngarkesa të mëdha ekstra për pushtetin vendor, posaçërisht në territoret ku përqendrimet e turistëve janë më të mëdha.
Dhe një nga gjërat që vihet re është edhe nxitja e brendshme e biznesit për të kapërcyer kufijtë e paravendosur të veprimtarisë së vetë, në formën e daljes përtej tyre dhe të zaptimit të territorit, deri dhe në ndërtime pa leje në territore ku vëmendja është më e vogël, apo si në Vlorë ku kryetari i bashkisë dhe strukturat atje i kanë sytë gjysmë të hapur dhe gjysmë të mbyllur.
Është bërë një pikë qendrore e diskutimeve për shkak se ka marrë vëmendjen e ditës ajo që ka ndodhur në Theth ku gjatë periudhës së zgjedhjeve, ose në muajt para dhe gjatë zgjedhjeve, ka pasur një bum ndërtimesh pa leje, si rezultat edhe i përgatitjes së sezonit të ri turistik.
Jo një, por rreth 40 denoncime janë bërë nga Policia e Shtetit për këto ndërtime, në një aspekt Policia e Shtetit ka funksionuar. Struktura e policisë ka denoncuar ndërtimet pa leje në prokurori dhe në një rast të një flagrance spektakolare ku nuk është ndërtuar thjesht një ngrehinë por një fshat i tërë turistik në mes të Thethit.
Ndërtimi pa leje në një zonë të mbrojtur si Thethi është një vepër penale edhe më e rëndë. nga ana tjetër IKMT ka filluar të veprojë, por duhet thënë që qoftë në Theth, qoftë në Vlorë dhe territore të tjera.
Dobësia e madhe e inspektoriatit brenda territorit tregohet ku Tirana për shembull është një qytet ku ka një volum të madh të problematikave të zaptimit përtej kufirit normal të të bërit biznes dhe qoftë policitë bashkiake janë realisht struktura shumë problematike, deri në pikën ku me përjashtime të rralla nuk japin zgjedhje.
Për të gjithë ata që thonë pse u kujtuan tani, kjo është një betejë e përditshme dhe nëse nuk funksionojnë të gjitha hallkat dhe nëse struktura e pavarur e drejtësisë nuk është në dispozivion të kësaj përpjekje dhe të mbështesë zbatimin e ligjit, por është si një kullojse makaronash ku gjërat rrjedhin dhe faktet ngelin në territor, kjo është një shfaqje që do shfaqet hera herës, deri sa të kuptohet se askush nuk del fitues duke bërë ndërtime pa leje.
Na duhet një reformë për të shërbyer në gjithë këto territore me cilësinë më të mirë të mundshme të shërbimit urbanistik. Do të duhet të bëhet një reformë me inspektoriatet, policinë bashkiake, IKMT dhe zyrat e urbanistikës.



