
Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla është shprehur sot se Partia Socialiste është dakord që të pranojë kërkesën e Partisë Demokratike për ngritjen e një komisioni të Posaçëm për Reformën Zgjedhore ku të adresohen të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR.
Gjithashtu ai bëri me dije se ka marrë kërkesë dhe nga Lëvizja Socialiste për Integrim që të jetë pjesë e komisionit.
Balla theksoi se i besuari i PS për çështjet zgjedhore vijon të mbetet Damian Gjiknuri, i cili është propozuar sërish si bashkëkryetar nga radhët e socialistëve për Komisionin e Reformës Zgjedhore.
“Diskutimi do të fokusohet në prioritetet e këtij buxheti, në dobi të qytetarëve. Në mbledhjen e grupit të PS kemi diskutuar dhe për kërkesën e ardhur nga grupi i PD për ngritjen e komisionit Posaçëm të Reformës zgjedhore. Ne kemi miratuar dakordësinë tonë të plotë sot për të ngritur këtë komision, ku do të propozojmë zotin Gjiknuri si bashkëkryetar. Shpresojmë që këtë të bëjë edhe PD. Më pas të dy bashkëkryetarët do të formojnë dhe formulojnë projektvendimin. Kemi shumë formula ekzistuese të mënyrës së organizmit të reformës zgjedhore. Ato janë drejtuar me bashkëkryetar, ose me ndërhyrjen e palëve. Ndaj le të vijojë puna, duke respektuar edhe të gjithë përfaqësimin parlamentar që kemi në kuvendit të Shqipërisë. Në këtë këndvështrim, sapo projektvendimi të jetë gati, sapo PD të propozojë bashkëkryetarin e tyre, ne të kalojmë në Kuvend ngritjen e komisionit të posaçëm.
Propozimet kanë mbështetje prej më shumë se 28 deputetëve. Kuvendi e cakton qartë se si mbështeten nismat. Sapo të jetë plotësuar ky afat kryetrari i Kuvendit të thërrasë mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit. Në këtë dispozitë të përcaktuar nga rregullorja, të jeni të sigurt se zonja Nikolla është mbi palët dhe do të respektojë rregulloren. Ju jeni vënë në dijeni. Do të kemi sot mbledhjen e parë të Këshillit të Legjislacionit dhe ligjeve”, tha ai.
Balla tha se propozimi i PS-së për ndryshime kushtetuese është rekomanduar fuqimisht nga miqtë ndërkombëtarë të Shqipërisë, sepse ka të bëjë me një çështje teknike për vijimin dhe përmbylljen në kohë të Vetingut.
“Propozimi ynë për ndryshimet kushtetuese është propozim që është rekomanduar nga miqtë ndërkombëtar të Shqipërisë, pasi ka të bëjë me çështje teknike për vijimin e një procesi historik, siç është sistemi i vetingut. Është rekomandimi i fortë i partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë për të shtyrë këtë afat. Kjo tejkalon axhendat politike të çdo subjekti politik. Ne duhet t’i qëndrojmë këtij rekomandimi. Falënderoj ONM që bën një punë të shkëlqyer në vijueshmërinë e procesit. Jo vetëm kanë vëzhguar, por kanë qenë pjesë e pandashme e procesit të Vetingut dhe na rekomandojnë që ta mbështesim dhe ta votojmë brenda këtij sesioni parlamentar”, tha Balla.
Nisur nga akuzat e tyre në zgjedhjet e 25 prillit, për mungesën e koalicioneve zgjedhore, PD propozon rikthimin e tyre në Kushtetutë.



