
Në Shqipëri, protestat që nuk kanë udhëheqje politike janë të destinuara të zbehen. Erlis Çela, pedagog i shkencave të komunikimit, tha në studion e lajmeve të MCN TV se protestat e organizuara nga shoqëria civile kanë ndezur propagandën qeveritare që synon denigrimin e figurave të saj. Sipas tij, këtë e tregoi edhe protesta e dytë që u mbajt të hënën pë ngjarjen e Potamit, e cila në mungesë të liderëve të opozitës, nuk pati pjesëmarrje sa ajo e javës së kaluar.
Ishte një protestë vijimësie. E dyta e organizuar për një ngjarje shumë të rëndë. Është totalisht e përligjur. Ishte pjesë e organizimit politik krahas një pjese të shoqërisë civile. Mospjesëmarrja e liderëve të opozitës vjen si reagim ndaj akuzave të qeverisë se po bëhet politikë me vdekjen.
Dy politikanët kryesorë të opozitës kanë dashur t’i japin përgjigje kësaj akuze duke mos marrë pjesë.
Dje nuk kishte aq qytetarë sa në protestën e parë. Këtu për fat të keq duhet një udhëheqje politike. Protestat në çdo rast janë angazhime politike, edhe kur nuk ka të bëjë me një kauzë partiake. Protesta ka nevojë për udhëheqje. Mund të jetë nga sindikata, mund të jetë nga shoqëria civile. Sa herë është kjo e fundit, kemi një makineri propagandistike për t’i denigruar figurat e saj.
Çela tha më tej se nuk pret dorëheqjen e ministrit Çuçi, pavarësisht përgjegjësisë që ai duhet të mbajë për ngjarjen. Ai kujtoi rastet e paraardhësve të tij në këtë detyrë.
Është në vazhdën e çdo lloj reagimi. Është qëndrim i papërgjegjshëm sepse ministri i Brendshëm ka përgjegjësi direkte. Çuçi duhej të ishte dorëhequr. Por dorëheqja si institucion demokratik është zhvlerësuar tërësisht. Ju e dini çfarë ka ndodhur me ministrat e Brendshëm, që nga Tahiri, më pas Xhafaj, Lleshi etj. Asnjë prej tyre nuk dha dorëheqje dhe Rama nuk ua kërkoi kurrë.



