
Të gjithë pronarët e pasurive të paluajtshme dhe pronë private të cilët preken nga realizimi i projektit “Rehabilitimi i segmentit rrugor “Pallati me shigjeta – rrethrrotullimi “Shqiponja”, do të shpronësohen.
Ky vendim është miratuar nga Këshilli i Ministrave, ndërsa shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar. Të gjithë pronarët do të kompensohen vetëm pasi të kenë paraqitur dokumentacionin e kërkuar pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Pronarët e pasurive të paluajtshme, që shpronësohen, do të të kompensohen në vlerë të plotë, sipas masës së kompensimit përkatës, për pasuritë e llojit “truall”, “tokë arë”, dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 miliardë e 224 milion e 874 mijë lekë.
Vlera e përgjithshme e shpronësimit, dotë përballohet nga llogaria “Fondi i shpronësimeve”, në Bankën e Shqipërisë ndërsa shpenzimet procedurale, në vlerën 50 000 (pesëdhjetë mijë) lekë, të përballohen nga fondet e Autoritetit Rrugor Shqiptar. Shpronësimi do të fillojë menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.
Po kështu në vendim thuhet se brenda 30 ditëve duhet të përfundojë procesi i shpronësimeve. Pas kësaj pritet të ndërhyhet për shembjet e objekteve.
Kujtojmë se banorët e zonës së Unazës së Re (Astiri) po protestojnë intensivisht gjatë çdo mbrëmje që prej Nëntorit të vitit të kaluar kundër shembjes së shtëpive.



