
Sot në tërë vendin do të zhvillohet gara e primareve në PD, përmes së cilës do të caktohen deputetët kandidatë të PD-së, që do të garojnë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Mbi 300 kandidatë në gjithë Shqipërinë kanë dorëzuar aplikimin e tyre për të qenë pjesë e garës, e cila mund të përcaktojë më tej edhe përfshirjen në listat për deputetë.
Ky proces megjithatë nuk do të jetë vula përfundimtare, pasi kreu i partisë Sali Berisha, së bashku me Kryesinë, do të vendosin listat përfundimtare, përfshi edhe vendet e sigurta dhe më tej listat e hapura.
Procesi është i lidhur ngushtë edhe me vetë procesin zgjedhor, duke parë dispozitat për përfshirjen në listat e fletës së votimit më 11 maj.
Sipas vendimit të KQZ-së, çdo parti duhet të paraqesë një listë me 186 kandidatë, të ndarë në 12 qarqe të vendit, sipas mandateve respektive.
Nga këta 186 kandidatë, 46 do të jenë pjesë e listës së mbyllur, ndërsa 146 të tjerë do të përfshihen në listën e hapur, duke ofruar mundësinë e zgjedhjes së kandidatëve nga ana e votuesve.
Ky proces synon të ofrojë një sistem më të hapur dhe të demokratizuar për zgjedhjen e deputetëve, duke përfshirë më shumë mundësi për qytetarët të shprehin preferencat e tyre.
Votimet nisin në orën 08:00 deri në 18:00, ndërsa çdo anëtar ka të drejtë të votojë vetëm një kandidat.



