
Ish-presidenti i Brazilit Jair Bolsonaro ka ndryshuar numrin e telefonit të tij celular nga frika se mos përgjohet nga sistemi i drejtësisë braziliane që po heton sulmin në ndërtesat institucionale të së dielës së kaluar.
Ish-kreu i shtetit brazilian ka ulur gjithashtu numrin e telefonatave dhe mesazheve të shkëmbyera nga aplikacionet, duke deleguar këshilltarë dhe fëmijë për të folur për çështje të ndjeshme politike, për të shmangur ekspozimin e tij.
Ndërkohë në rrjetet sociale vërshojnë mesazhet e fansave në një kohë që dje Bolsonaro plotësoi kërkesat për autografe, duke firmosur flamuj, kalendarë, bluza dhe atlete.
Sipas mediave braziliane, çdo ditë ka dhjetëra mbështetës që presin me orë të tëra para shtëpisë ku ndodhet ish-presidenti, e cila monitorohet nga shërbimet sekrete amerikane.
Bolsonaro po qëndron në një apartament të ish-luftëtarit të arteve marciale José Aldo, simpatizantit të tij, disa minuta larg parqeve të Disney-t.



