
Udhëheqësi i Koresë së Veriut Kim Jong-un i dhuroi Presidentit rus Vladimir Putin dje dy qen të një rrace të rrallë koreane, ka raportuar Agjencia Qendrore Koreane e Lajmeve (KCNA). Dy krerët e shteteve shkëmbyen dhurata të ndryshme gjatë bisedimeve në Phenian.
KCNA raportoi të enjten se "Kim Jong-un i dhuroi Putinit dy ‘Phungsan’, qen kombëtar të DPRK-së, si dhuratë për kopshtin shtetëror Kumsusan".

Raca “Phungsan” është endemike për zonat malore në Veri të gadishullit korean. Qentë e kanë prejardhrjen nga ujqërit, konsiderohen tepër rezistentë ndaj temperaturave të ulëta, dhe mund të përdoren edhe për gjueti.
Të mërkurën, ndihmësi i presidentit rus për politikën e jashtme Ushakov zbuloi se delegacioni i Moskës i kishte dhuruar Kim një makinë 'Aurus'.
Familja e automjeteve të prodhuara në Rusi përmban limuzina për zyrtarët e nivelit të lartë. Putin dhe Kim udhëtuan së bashku me makinë pas mbërritjes së Presidentit rus në aeroportin e Phenianit.
Takimi shënoi herën e parë që një President rus udhëton në Korenë e Veriut që nga viti 2000. Vizita e fundit shtetërore paraqiti negociata mbi çështjet ekonomike, të sigurisë dhe gjeopolitike, që kulmuan me nënshkrimin e një Traktati mbi Partneritetin Gjithëpërfshirës Strategjik.
Përveç presidentit Putin, delegacioni rus përbëhej nga zyrtarë të ndryshëm të lartë, duke përfshirë ministrin e Jashtëm Sergej Lavrov, Ministrin e Mbrojtjes Andrey Belousov, zëdhënësin e Kremlinit Dmitry Peskov dhe ndihmësin e presidentit për politikën e jashtme Yury Ushakov.



