Kryetari i Partisë Demokratike(PD), Lulzim Basha tha të mërkurën se në qendër të aksionit politik të opozitës, për zgjedhjet e ardhshme, do të jetë hapja dhe zgjerimi i demokracisë së brendshme në parti dhe garantimi i qytetarit se ndryshimi që ajo do sjellë do të jetë i vërtetë.
“Jam i bindur, se bashkë me shqiptarët do ja dalim që PD-ja të kthehet në lumin e shpresës dhe mundësive për çdo shqiptar, qe të ndërtojë jetën e tij këtu, se në thelb ajo që do të ndërtojmë bashkë mos të jetë një Shqipëri vetëm për një grusht njerëzish, por një Shqipëri që ofron shanse për të gjithë”, u shpreh kreu i PD-së, pas mbledhjes së sotme të grupit parlamentar.
Basha tha se ky proces, ku do të përfshihen të gjithë demokratët, grupi parlamentar, kryesia, Këshilli Kombëtar, ka për qëllim hapjen e PD-së, për këdo që është gati dhe dëshiron të japë kontributin e tij, për një udhëtim që ka për pikëmbërritje jo vetëm një rotacion politik, por një politikë në shërbim të njerëzve dhe jo në shërbim të elitës apo një grupi njerëzish.
Kjo hapje brenda PD-së do ta bëjë atë një parti të shqiptarëve dhe jo të një grupi që synon ardhjen në pushtet, nënvizoi kreu demokrat.



