Hasan Stafa nga Zyra e Mbrojtjes së Konsumatorit thotë se ligjet për mbrojtjen e konsumatorit i kemi të përshtatura me të Bashkimit Europian, por nuk implementohen ashtu siç duhen.
Duke folur për emisionin “MCN Economy”, ai deklaroi se Agjencia e Mbrojtjes së Konsumatorit, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit apo agjenci të tjera të mbrojtjes së konsumatorit, si emra janë shumë dhe ligjet janë të përpikta, por problemi është se këto ligje nuk harmonizohen me njeri tjetrin.
Sipas tij, ka shumë ligje që nuk kanë lidhje as me mbrojtjen e tregut dhe as të konsumatorit, dhe se problemi qëndron te informaliteti.
Ai kërkoi që Kryeministri i cili është përgjegjës për institucionet që ka në varësi, të ndërhyjë dhe të korrigjojë tregun kur ka abuzime.
Çmimet janë tepër abuzuese dhe është e vërtetë që në sistemin kapitalist çmimi nuk vendoset nga shteti, por është i diktuar nga kërkesë-oferta.
Por secili shtet duhet të gjejë mekanizmin përkatës për të kontrolluar.
Nëse 78% e produkteve importohen, duhet harmonizim ligjor dhe të ketë menaxhim të kësaj situate për të shkuar në favor të tregut dhe konsumatorit.
Mbi 40% e tregut në Shqipëri është informal, nuk po futem te cilësia. Problem është informaliteti.
Kemi bërë padi te Autoriteti i Konkurrencës. Kemi 16 raste që janë çuar, rreth 60% janë marrë parasysh.
Kemi çuar për naftën, telefoninë, miellin.
Në 60% të rasteve është hetuar dhe vlerësuar puna dhe është ndërhyrë te mielli, në dy raste edhe te telefonia.
Me ligj 61 njësitë vendore kanë 61 zyra të mbrojtjes së konsumatorit, por shohim se të paktën 80% e këtyre agjencive kanë njerëz që paguhen por nuk dihet ku ndodhen në Amerikë, Kanada apo kudo.
Një taskë forcë lokale bën që të ndikohet te konkurrenca e ndershme.
Kryeministri duhet të jetë efiçent dhe të ketë nën kontroll institucionet në varësi.
Kur sheh se ka abuzim dhe probleme, shumë gjëra duhen korrigjuar.
Siç u ndërhy në fillim të luftës Rusi-Ukrainë për çmimin e naftës.
Por çmimet e bukës, medikamenteve dhe produktet e tjera nuk ranë.



