
Kryetari i komanduar i degës së PD, Fier, Agron Kapllanaj në një lidhje skype në studion e lajmeve në MCN TV u shpreh se mbështet Partinë Demokratike, ndërsa e cilësoi Lulzim Bashën si kryetarin legjitim të saj të zgjedhur përmes votës në qershor.
Teksa hodhi poshtë vendimet e Berishës u shpreh se i vjen keq që e ka mbështetur atë për 30 vite kjo pas thirrjes së doktorit për gjakderdhje në 8 janar.
Kapllanaj tha ndër të tjera se një zgjidhje e mundshme do vinte nëse Berisha do të tërhiqej nga aksioni i tij politik që ka nisur dhe se beteja e demokratëve nuk është largimi i doktorit, por regjimi kundër Edi Ramës.
Në fakt unë mbështes PD si anëtar i saj, si drejtues i degës. PD e mbështes linjën zyrtare të saj dhe në krye të kësaj partie ne kemi zgjedhur me votë në qershor Bashën. Kështu që Basha është kryetari legjitim dhe unë si anëtar i saj jam mbështetës i forcës sime politike. Sigurisht ne kemi humbur në dy palë zgjedhje por faktorët që na kanë çuar në humbje janë të shumtë dhe nuk është fajtori i vetëm Basha. Lideri mban përgjegjësinë kryesore të cilën ai e ka marrë por po të shohim faktorët e tjerë është masakra zgjedhore por dhe disa vendime të gabuar të marra nga PD në këto 8 vite dhe kuptohet këto e kanë dëmtuar deri diku PD. Faktori kryesor që s’jemi sot në pushtet është Rama me klikën e tij për të vjedhur votat.
Teksa sot kemi dy grupime të demokratëve çfarë shansesh ka kjo parti e përçarë në një bastion të Partisë Socialiste, kur zgjedhjet lokale nuk janë larg, Kapllanaj tha se nuk mund ta mohoj krizën në PD aktualisht dhe se e gjitha ka nisur pas shpalljes non grata të Berishës.
Nuk mund të hiqemi sikur s’ka ndodhur asgjë se pas shpalljes non grata të Berishës dhe sidomos pas 9 shtatorit të vendimit për pezullimin e tij, atëherë basha u detyrua të merrte këtë vendim pa përfshirë anëtarësisë apo këshillin. Kjo nuk u prit mirë nga Berisha dhe ka nisur atë betejë që po e shohim prej muajsh. Nuk pajtohem me doktorin sepse nuk ja kemi borxh si demokratë të thjeshtë sepse ndodhemi në pozita jo të mira pas humbjes së zgjedhjeve dhe këtë ai e ka shfrytëzuar duke e kthyer në një luftë personale mes demokratësh për interesin e tij personal ka trazuar ujërat brenda PD dhe kjo nuk i shkon për shtat atij. Unë jam i shokuar nga ngjarjet e fundit veçanërisht asaj të 8 janarit kur Berisha bënte thirrje për dhunë. E kam ndjerë veten keq dhe të rrezikuar si shumë të tjerë dhe mbi të gjitha të turpëruar që për 30 vite i kam shkuar pas një njeriu që në 8 janar kërkoi të rrjedhë gjak mes demokratëve dhe këtë nuk ja fal Berishës dhe të gjithë ata që e ndiqnin nga pas.
I pyetur nëse votimi i parakohshëm për kreun e PD mund të ishte një mënyrë për t’i dhënë zgjidhje krizës në parti, Kapllanaj tha se Basha aktualisht ndodhet në kushtet më komode duke pranuar se një pjesë e mirë e vendimeve të marra deri më tani kanë qenë të ndikuara nga Berisha. Ai deklaroi se Berisha duhet të tërhiqet nga aksioni që ka marrë që dëmton Partinë Demokratike dhe të lërë faktorët e tjerë të ulen dhe të gjejnë zgjidhjen pa të.
Mendoj se Basha në këto momente është në kushtet më komode pasi deri diku ka pranuar se një pjesë të mirë të vendimeve janë marrë të ndikuara nga Berisha dhe deri diku ka pranuar dualizmin e vendimeve. Sigurisht ky është një problem brenda forcës sonë që duhet zgjidhur por më shumë është një problem i Berishës. Berisha duhet të tërhiqet nga aksion që ka marrë që dëmton PD dhe të lërë faktorët e tjerë të ulen dhe të gjejnë zgjidhjen pa të. Ne e kemi derën hapur për të gjithë demokratët që të japin kontributin e tyre që PD të vijë në pushtet ku qëllimi kryesor nuk është të mundim Berishën, por beteja me regjimin e Ramës dhe sigurisht këtu bashkohemi të gjithë ne demokratët.



