
Sëmundjet seksualisht të transmetueshme (SST) janë infeksione që përfitohen përmes marrëdhënieve seksuale.
Mikroorganizmi që shkakton sëmundjen mund të kalojë nga personi i infektuar te partneri i shëndoshë përmes gjakut, spermës, sekrecioneve vaginale, si dhe çdo fluidi tjetër trupor, shpjegon andrologu Marsid Sinani, i ftuar në emisionin “Zgjohu me MCN”.
Ndonëse ekziston një ndërgjegjësim minimal për emërtimet e këtyre sëmundjeve, shoqëria vijon të jetë e papërgjegjshme sa i përket mënyrës së trajtimit, parandalimit dhe transmetimit të tyre.
Në lashtësi, sëmundjet njiheshin vetëm nga simptomat, pa pasur njohuri se çfarë i shkaktonte, si transmetoheshin dhe pa pasur trajtim të mirëfilltë. Në periudhat e mëvonshme filluan të kuptohen më mirë simptomat dhe shkaqet.
Andrologu thekson se SST-të shkaktohen nga baktere, viruse dhe parazitë, të cilët gjenden në ambientin tonë shoqëror dhe mënyrën kryesore të transmetimit e kanë marrëdhënien seksuale.
Sot, ndër sëmundjet më të shpeshta renditen klamidia dhe gonorrea, ndërsa në rang global regjistrohen rreth një milion infektime të reja çdo ditë, një shifër alarmante që lidhet kryesisht me pakujdesinë dhe mungesën e masave mbrojtëse.
Sëmundjet Seksualisht të Transmetueshme shkaktohen nga: baktere, si gonorrea, sifilizi dhe klamidia, viruse, si Human Papillomavirus (HPV), herpesi gjenital dhe HIV dhe parazitë, si trikomoniaza.
Të gjithë këta patogjenë transmetohen përmes kontaktit intim dhe depërtojnë në organizëm përmes mukozës së membranës në zonën e kontaktit.
Trajtimi i infeksioneve seksualisht të transmetueshme fatmirësisht është i mundur, dhe ndërhyrja në kohë mund të parandalojë komplikacione të rënda. Masat parandaluese si përdorimi i prezervativëve, vaksinimi dhe komunikimi i hapur me partnerët seksualë janë gjithashtu komponent të rëndësishëm në menaxhimin dhe evitimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme.



