“Humnera”, një roman i shkrimtarit serb, Darko Tushevljakoviç, vjen për lexuesit shqiptarë nëpërmjet përkthimit të studiuesit dhe përkthyesit Ben Andoni. Vepra e parë e autorit e përkthyer në gjuhën shqipe synon të hapë një dritare të re mes tij dhe lexuesit shqiptar.
“Humnera”, një roman me të cilin Tushevljakoviç ka fituar çmimin europian për letërsinë, vë në qendër një ushtarak, i cili përballet me traumën që lufta në ish-Jugosllavi ka lënë te ai, një humnerë shpirtërore që ai nuk mundet ta kalojë. Për përkthyesin Andoni, pavarësisht se historia ndryshon, mënyra se si ballkanasit përballen me të shkuarën dhe në realitetet e reja është e ngjashme.
“Përngjasimi është mënyra sesi ne e përballim të shkuarën është gati e njëllojtë. Ballkanasi është shumë njësoj, e ka shumë të vështirë të përballet nga e shkuara edhe në realitetet e reja. Në këtë libër, në formën e diptikut, një personazh ushtarak përballet me të shkuarën shumë të dhimbshme të shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, vrasjet e shumta që qëndrojnë në nënvetëdijen e tyre, por realisht edhe me një kohë të re, të cilën, ata nuk munden ta përqasin dot”, thotë Andoni.
Sa e vështirë është hyrja e një autori si Tushevljakoviç në një terren si Shqipëria? Sipas Andonit, kjo lidhet me njohjen e mirë të letërsisë, që në vendin tonë është tkurrur. Por përtej elementeve që mund ta lidhin letërsinë sllave me nacionalizmin, një lexues i mirë di të zgjedhë.
“Në Shqipëri, autori hyn pak me vështirësi sepse njohësit e letërsisë së vërtetë në Shqipëri për hir të së vërtetës janë gjithnjë e më të pakët. Zakonisht, kapja e elementëve pozitivë në letërsi mungon. Jam krejt i bindur se kapja e parë me letërsinë sllave është kapja ku njerëzit shohin elementë që ne i lidhim me nacionalizmin e tyre, që ne nuk na shkojnë për shtat. Vetëm që çdo vend ka problematikat e veta. Sfida e autorit në letërsi, në këtë truall, është sesi realisht e përballin personazhet e dy brezave këtë realitet”, thotë Andoni.
Libri është një botim i "Albas", me redaktimin e Artemisa Bushit.
Më poshtë intervista e plotë



