Në takimin e sotëm elektoral nga Përrenjasi, Kryeministri Rama tha se Shqipëria mund të jetë një vend më i zhvilluar dhe me standard më të lartë jetese.
Rama tha se po kalojnë më në fund hendekun e dy goditjeve si tërmeti dhe pandemia. Kryeministri theksoi se është momenti për të vijuar më tej rrugën.
"Arsyeja pse unë jam këtu sot në këtë përballje dhe arsyeja pse këmbëngul që ne duhet të vazhdojmë përpara është se unë besoj se dielli i Shqipërisë nuk është i bukur vetëm për turistët e huaj, mund të bëhet i bukur për të gjithë shqiptarët. Ne po kalojmë më në fund hendekun e goditjeve është koha për të besuar jo duke parë ëndrra në gjumë, por duke parë realitetin e fakteve dhe kantieret e hapura se shqiptarët do të fuqizohen ekonomikisht. Është koha që gjithsecili ta kthejë një moment kokën pas për të shikuar ku ishim, ku jemi dhe për të besuar që rruga që kemi bërë nuk është e mjaftueshme për t’u ndalur. Është një rrugë që duam të arrijmë aty ku duam.
Në këtë moment kur shkojmë në zgjedhje secili ka një përgjegjësi që shkon përtej vetes. Ka përgjegjësi të shohë se ku është Shqipëria sot, se sa shumë është e gatshme të ngjitet më lart. Nëse Shqipëria nuk ngjitet më lart edhe jeta e secilit nuk përmirësohet.
Shumë njerëz thonë ç’na duhen ne aeroportet. Në fakt është e pavërtetë. Kroacia ka 9 aeroporte për 4 milion banorë. Investimet e mëdha që kemi nisur që përbëjnë volumin më të madh sjellin shumë më tepër lëvizje. Sjell shumë më tepër angazhime. Të jeni të bindur se ndërkohe që nga ana tjetër ju dëgjoni gjëra që nuk janë të reja. Ndarja është e qartë jo mes atyre që themi, por mes atyre që tjetër thonë dhe tjetër bëjnë dhe atyre që bëjnë atë që thonë. Jemi ne PS e Shqipërisë”.
Rama teksa foli për bujqësinë, tha se nëse fiton një mandat të tretë, eksportet do të shkojnë në 1 miliardë euro. Sipas kryeministrit, deri më tani janë investuar 120 mln euro, në fshat për pika grumbullimi, të bëra me financime të BE dhe të qeverisë sonë. Duke folur për investimet e rëndësishme sipas tij, Rama tha se destinacioni i Shqipërisë i patjetërsueshmë është BE.
"Ndërkohë që të tjerët flasin për BE si një destiancion, që është destinacioni ynë i patjetërsueshëm, bujqësia jonë, është pjesë e angazhimit me BE. Vetëm në dy vitet e fundit janë 120 mln të investuara në fshat për pika grumbullimi dhe janë bërë me financime të BE dhe qeverisë shqiptare. Një tjetër paketë e madhe është gati të lëvrohet në vijim dhe një tjetër masë e rëndësishme financiare do vihet në dispozicion të atyre që duan të vijojnë të prodhojnë. Jemi në 400 mln eksporte bujqësore dhe në mandatin e tretë do shkojmë në mbi 1 miliardë sepse e kemi shtruar rrugë. Ka shumë për të humbur nëse biem pre e sirenave joshëse të fushës me lule, që thonë do i japim 1 ml këtyre e 5 atyre, i keni parë me buri, me makina e këngë e valle, xhaferrët e Sudet dhe pamë pastaj se si rruga e shkurtër na nxori gjatë, në fundin e një gremine nga ku vuajtëm për t'u ngritur. Për deri sa ne ja dolëm që të dalim nga tuneli i pandemisë hap pas hapi, ne jemi ata që së bashku mund tja dalim që ta bëjmë Shqipërinë vendin ku ekonomia rritet me punë, me këmbëngulje, punë e durim, por rritet e për të gjithë, për çdo familje dhe kjo është plotësisht e mundur", tha Rama.



