
Gazetari Poli Hoxha komentoi në MCN Live ngjarjen e fundit kriminale në vend, ku tre persona u masakruan në mbikalimin e Fushë-Krujës.
Hoxha tha se grupet kriminale kanë blloqe borderosh, ku paguhen me rrogë individë të caktuar në Policinë e Shtetit dhe në Prokurori.
Sipas tij këto blloqe përdoren edhe për presion, prandaj “blutë” s’kanë fuqi të shkojnë përtej mbledhjes së kufomave në krime, ndonëse i dinë kush janë "kokat" e krimit.
Po t’i kthehesh të gjithë emisionet, është kthyer në një rutinë, është bajatosur, jo detajet, jo kaq plumba. Është diçka shumë alarmante, nuk ka rëndësi nëse janë vrasës me pagesë, apo pjesë e organizatave, rëndësi ka kush janë 'kokat' e kësaj lufte që ka zbritur në shesh. Ka elementë të hapur terrorist. Krimi s’pyet më as për vendin, kohën, as për pasojat në komunitet. Ne mediat kemi për të detyrë ta kalojmë në ekstrem presionin ndaj Policisë dhe Prokurorisë. Dihet zinxhiri i vrasjeve brenda këtij grupi kriminal. 'Kokat' e grupeve kriminale që luftojnë me njëri-tjetrin nga trafiqet, apo interesat ekonomike. Krimi dhe biznesi në një pjesë të mirë janë bërë një. Duhet rritur presioni, ku janë këto dosje.
Policia e di shumë mirë kush është pas tyre, dhe s’bën asgjë. Ka aq shumë materiale dhe zinxhirë vrasjesh dhe tani i kërkojnë ndihmë popullit. Në këto grupe kriminale ka disa elementë që kanë bllok dhe bordero pagesash për Policinë e Shtetit. Prej vitesh paguajnë individë të caktuar në Policinë e Shtetit me rrogë. Individë që dikur janë bërë inspektorë, shefa krimesh, drejtorë, janë në blloqe. Shpesh këto blloqe përdoren edhe për presion. Këto blloqe janë fakti pse në Shqipëri Policia s’ka fuqi të shkojë më tutje se sa mbledhja e kufomave. Është një trekëndësh Lezhë-Laç-Fushë-Krujë, RENEA ka vajtur disa herë dhe asnjëherë s’ka kapur njeri. Si ka mundësi që në një territor shumë afër Tiranës, të monitoruar, ndodhin vrasje të tilla dhe s’kapet qoftë një i dyshuar.
I kam parë këto bordero, jam 25 vjet gazetar. Ka 10-15 vjet që ka filluar, se nuk dua të them emrat e njerëzve që i kanë këto blloqe. Janë bandat më të fuqishme. Ne e kemi krimin brenda, jo e gjithë Policia, por kokrra të caktuara. Mund të shkojnë në 400 emrat e Policisë së Shtetit dhe Prokurorisë që janë në blloqet e tyre”.
Hoxha shpjegoi skemën se si funksionojnë borderotë dhe pagesat nga organizatat kriminale, ndërsa zbuloi se ka nisur edhe një hetim nga SPAK.
Nëse një organizatë ka një territor të caktuar, përdoren dy mënyra. Futen në bordero pikat kyçe, ti mund të mos bësh asgjë 3 vjet rresht dhe merr rrogë, dhe mund t’u duhesh për një moment. Je i dypunësuar. Kjo është një skemë që është zgjeruar. Sa më shumë zgjerohet organizata, aq më shumë rritet hierarkia. Një inspektor që ka qenë me bordero para 15 vitesh sot i ka ardhur radha të bëhesh shef krimesh, apo komisar. Është një fond pagash, që ndahet sipas territoreve dhe sa më shumë fuqizohet organizata aq më shumë rritet. Kur rritet ka edhe pagesa ekstra për një punë. Për një informacion dosje, ose për një prishje prove. Këto janë gjëra që po i heton SPAK. Për Elbasanin janë gati duke e mbyllur një histori të inkriminimit shumëvjeçar të Policisë. Edhe në Tiranë është një situatë e rëndë. Është e vështirë të flas sepse rrëzon një strukturë të tërë. Frika më e madhe është që në një moment të caktuar këto blloqe tunden. Imagjinoje nëse në një redaksi dorëzohet një bllok i këtij lloji”.



