
Universiteti “Ismail Qemali” në Vlorë ka mbyllur raundin e parë të regjistrimeve.
Lëndët, Kimi, Italisht dhe Fizika nuk shënojnë asnjë numër studentësh të interesuar për regjistrim për çka edhe janë mbyllur, bën të ditur për MCN live, korrespodenti nga Vlora, Edi Ruçi.
Por programi i Infermierisë kryeson me më shumë të regjistruar, teksa numri i vogël i studentëve rrezikon dhe degët e tjera.
Tre programe studimi mbyllen, me zero regjistrim, një tjetër është program i rrezikuar. Kimi, Italisht dhe Fizika nuk shënojnë asnjë numër studentësh të interesuar për regjistrim, ndërsa matematika ka vetëm 4 studentë, edhe kjo degë rrezikon mbylljen.
Trendi rekord është në degën e Infermierisë, ka 236 studentë të regjistruar nga 240 që është kuota, ndërsa dega Mami ka 66 regjistrime nga 115 që është kuota maksimale.
Fakulteti Ekonomik (6 programe studimi bachelor shënon 98 studentë nga 300 që është kuota. Interes më të lartë shënon programi i studimit Administrim Biznes dhe Financë. Fakulteti i shkencave teknike dhe natyrore (11 degë bachelor dhe 2 programe profesionale) ka në total 175 nga 470 që është kuota. Ndërsa degët e gjuhë-letërsisë kanë regjistruar vetëm 30% të kuotave, që nuk i kalojnë 100 studentë, çfarë rrezikon edhe këto degë të tjera.
Gazetari Ruçi, thotë se teksa janë mbyllur tre degët në këtë Universitet, rrezikojnë punën edhe pedagogët e këtyre programeve.
Deri më tani nga Universiteti nuk thotë se ka largime nga puna por me mbylljen e këtyre tre degëve, pedagogët mbesin pa mësim.
Ajo çfarë konfirmohet është se do të pritet edhe deri ën fund të muajit, deri në përmbylljen e të tre fazave të regjistrimit, për të parë nëse do të ketë shkurtime stafi, apo jo. Sa i përket tre degëve të rrezikuara, nëse nuk do të ketë studentë, nuk do të ketë as pedagog, ose do të gjenden mënyrat që të angazhohen në programe të tjera studimi.



