
Rënia e flokëve është një problem që prek miliona njerëz në mbarë botën dhe shpeshherë lidhet me stresin dhe faktorët emocionalë.
Një nga format më të njohura është alopecia psikogjene, një humbje e flokëve që ndodh si reagim i trupit ndaj ngjarjeve stresuese dhe periudhave të lodhshme psikologjikisht.
Këtë e përjetoi edhe Aleksandra Hoxhaj, e ftuar në emisionin e mëngjesit “Zgjohu me MCN”, e cila tregoi historinë e saj të vërtetë, përballjen me stresin dhe mënyrën si ai ndikoi në shëndetin e saj.
Viti 2025 nuk ishte i mirë për mua. Ishte një periudhë e vështirë dhe plot stres.
Një mëngjes u zgjova dhe pashë disa zona pa flokë në kokë. Ishte një goditje e madhe, pas gati gjashtë muajsh të ngarkuar emocionalisht.
Mendoj se gjithçka erdhi si pasojë e stresit për të gjetur një punë. E humba punën në dhjetor, kur kompania ku punoja u mbyll, dhe papritur mbeta pa drejtim.
Ishte një moment shumë i vështirë, ndihesha e bllokuar dhe nuk dija çfarë të bëja më.
Ai stres i akumuluar, në fakt, ishte një thirrje për ndihmë nga trupi im.”
Gjithë ai stres po ‘bërtiste’ për ndihmë. Trupi të lajmëron se diçka nuk shkon.
Pas analizave dhe konsultave mjekësore, ajo u diagnostikua me alopeci, e shkaktuar nga stresi i lartë.
Mjekja që më ndoqi më rekomandoi të minimizojë stresin dhe të menaxhojë më mirë ngarkesën emocionale.
Këshilla kryesore që mora ishte të shmang stresin. Kam filluar të bëj pushime, të merrem me gjëra që më relaksojnë, si p.sh. krijimi i përmbajtjeve në rrjetet sociale, që më ndihmon të largoj mendjen nga mendimet negative.
Mendoj se sëmundja erdhi në momentin kur isha në fund të forcave. Kishte lidhje me vetëbesimin tim. Tani përpiqem të jem më e butë me veten, të mos e ndëshkoj për çdo gjë.
Nëse trupi im reagon ndaj stresit në këtë mënyrë, atëherë duhet të bëj gjithçka për ta shmangur. Stresi nuk duhet lejuar të të marrë shëndetin.
Ajo kujton se kujdesi për shëndetin mendor dhe emocional është po aq i rëndësishëm sa trajtimet mjekësore.
Shëndeti fillon nga qetësia e shpirtit.



