Ish-drejtori i Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, Besnik Jakaj, foli në edicionin e lajmeve në MCN TV mbi skandalin me barnat e rimbursueshme dhe raportin e KLSH.
Jakaj foli për “makabritete në vjedhje”, ku sipas tij në skemë bashkëpunojnë drejtuesi i Fondit të Sigurimeve, mjeku dhe farmacisti.
Ai vë në dukje se rasti i pacientëve që kanë ndërruar jetë dhe rimbursohen, e vërtetojnë katërcipërisht abuzimin.
Jakaj thotë se kemi të bëjmë me një degradim sistemik të sistemit shëndetësor shqiptar.

"Lista e rimbursimit ka një sërë problemesh, fakti që barna s’ndodhet në treg fare, i bie që s’është as në tregun ambulator, dhe gjetjet e KLSH që bëhet fjalë për abuzim, korrupsion. E para është një listë klienteliste. Ndryshimet ligjore në ligjin e barnave dhe shërbimit farmaceutik në vitin 2014, janë denoncuar me dhjetëra herë që kanë qenë klienteliste nga ministri Beqaj, edhe drejtuesit të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore të kohës, dhe Agjencisë së Barnave dhe pajisjeve mjekësore për të favorizuar një grup biznesmenësh dhe për të përfituar edhe vet në mënyrë të drejtpërdrejtë pastaj.
Historia e Onkologjikut është vetëm maja e ajsbergut. Thelbi është mungesa e barnave anti-tumoriale. Mungojnë në spitale me dhjetëra barna, siç mungojnë në tregun ambulator, dhe ka lulëzuar kontrabanda. Unë përdora një fjalë degradim sistemik i sistemit shëndetësor. Bëhen koncesione abuzive, abuzohet me 450-500 milionë euro, janë katër koncesione. I gjithë sistemi është sulur në atë që ka lançuar kryeministri KÇK. Ka dhjetëra denoncime nga specialistë të ndryshme, është shuar zëri i specialistëve, janë larguar nga puna dhe është heshtur. Sistemi shëndetësor është në alarm sot. Ka mungesë transparence, paaftësi administrate.
Akoma s’është bërë për vitin 2024 libri i rimbursimit të barnave, me ligj maksimumi në muajin shkurt duhet të përditësohet lista dhe të futen barnat e reja. Një pjesë të madhe barnash të shtrenjta i mbulon Fondi i Sigurimeve të detyrueshme të kujdesit shëndetësor. Thelbësore është që 146 barna që janë në listën e rimbursimit dhe nuk gjenden në depot e spitalit. 34 barna janë paguar nga Fondi i Sigurimeve dhe s’kanë ekzistuar në Shqipëri. Bëhen edhe makrabitete në vjedhje. Rasti i pacientit që s’jeton vërteton katërcipërisht abuzimin. S’kanë munguar kallëzimet, kanë denoncuar qytetarët, dhjetëra denoncime të opozitës dhe KLSH-së. Çështja e Onkologjikut duhet të hetohej në bazë të kallëzimit që ka bërë KLSH në SPAK.
Rimbursimi për persona që kanë ndërruar jetë, është një skemë që është kapur edhe më përpara. Janë tre bashkëpunëtorë, është drejtuesi i fondit, mjeku dhe farmacisti. Që receta të rimbursohet duhet ta plotësojë mjeku, dhe s’mund t’i plotësojë në ajër pa e vizituar pacientin. Bëhet fjalë për receta shumë të shtrenjta. Këtu është në alarm sistemi shëndetësor. Bëhen skema fiktive, mes drejtuesit të fondit, mjekut dhe farmacistit. Nëse strukturat ligjzbatuese evidentojnë dëmin e shkaktuar për shkak të korrupsionit, dëmin e shkaktuar në shëndetin e qytetarëve, dhe humbjen e jetëve, ish-drejtuesit e Shëndetësisë, drejtuesit aktualë, njerëzit që kanë përgjegjësi direkte për këtë dramë duhet të dënohen për krime kundër njerëzimit”.



