Rripi i Gazës është "vendi më i rrezikshëm" në botë për të qenë fëmijë, sipas drejtorit ekzekutiv të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët.
“Më shumë se 5,300 fëmijë palestinezë thuhet se janë vrarë në vetëm 46 ditë… Kjo është mbi 115 në ditë, çdo ditë, për javë dhe javë”, tha drejtoresha ekzekutive e UNICEF-it Catherine Russell në një video të mërkurën teksa iu drejtua Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
“Bazuar në këto shifra, fëmijët përbëjnë 40% të vdekjeve në Gaza. Kjo është e paprecedentë. Me fjalë të tjera, Rripi i Gazës është vendi më i rrezikshëm në botë për të qenë fëmijë”, tha Rusell.
Ajo tha gjithashtu se UNICEF-i po merr raporte se “më shumë se 1200 fëmijë” mbeten nën rrënojat e ndërtesave të bombarduara ose përndryshe janë të pagjetur.
Komentet vijnë një javë pas vizitës së Russell në Gaza. Në një deklaratë pas vizitës së saj, ajo përshkroi "shkelje të rënda" që po kryheshin kundër fëmijëve, duke përfshirë "vrasjen, gjymtimin, rrëmbimet, sulmet në shkolla dhe spitale dhe mohimin e aksesit humanitar".



